Shqipëri-Francë vetëm një ditë larg/ Punime në fushën e në fasadën jashtë! Pamjet brenda stadiumit, i jepet dora e fundit 'Air Albania'

16 Nëntor 2019, 12:25

Kur na ndan vetëm një ditë nga inagurimi i stadiumit të ri kombëtar, 'Air Albania Stadium', ku Shqipëria do të presë Francën për eliminatoret 'Euro 2020', puna në stadium vijon intensivisht.

Ndeshja Shqipëri-Francë do të luhet në orën 20:45 minuta të së dielës ndërkohë që në orën 16:00 trajneri Reja do të ketë edhe një konferencë për mediat. Ndërsa kombëtarja e Francës pritet të mbërrijë në Shqipëri në orën 17:00, ku më pas do të kryejnë edhe stërvitjen e parë në 'Air Albania Stadium'.

Gazetari i Report Tv, Ernest Koçi bën me dije se të paktën 300 punëtorë po punojnë për t'i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ditën e nesërme, të stadiumit 22 mijë vendësh. Edhe në fushën e blertë kamera e Report Tv ka kapur punëtorë që punojnë. Kujtojmë se në ndeshjen e parë testuese që u luajt mes vajzave të Vllaznisë dhe të Teutës një javë më parë, pati disa ngritje të tapetit të barit për shkak të rrëshqitjeve, por kjo situatë është normale, pasi tapeti i blertë nuk ka rënë ende në vend për të krijuar lidhjen me shtresën poshtë. Kjo pritet të bëhet me kalimin e kohës në mënyrë natyrale.

Po kështu Inspektorët e UEFA-s kishin vënë re problematika kryesisht me hyrjen kryesore të stadiumi, me tribunën VIP dhe me tribuna e gazetarëve, por tashmë këto problematike janë rregulluar dhe stadiumi duket se do të jetë gati megjithëse në limitet e Kohës. Stadiumi po ashtu po përgatitet edhe për një ceremoni inagurues që do të jetë pak minuta para fillimit të ndeshjes. Në këtë ceremoni do të jetë i pranishëm edhe kreu i UEFA-s, Aleksander Čeferin.

Pritet që stadiumi të mbushet plotë në këtë ndeshje, pasi përveç përballjes Shqipëri-Francë, tifozët do të kenë mundësi të shijojnë edhe stadiumin e ri me parametra bashkëkohorë.

Por si do të bëhet ndarja e tifozëve në stadium?

Stadiumi i ri dihet që ka disa hyrje. Edhe pse tifozët mund të ndodhë që të ngatërrohen, është menduar gjithçka që procesi i futjes në stadium të bëhet normalisht. Gazetari i Report Tv, Ernest Koçi bën me dije se në ndihmë të tifozëve do të vijnë, Policia e Shtetit, Kompanitë Security si dhe 150 studentë nga Universiteti i Sporteve.

Këta tre grupe do të bëjnë të mundur orientimin e të gjithë tifozëve për të hyrë në zonat ku edhe kanë blerë biletet. Po kështu në stadium janë vendosur të gjitha sinjalistikat e nevojshme.

Ndërkaq, Këshilli i Administrimit dhe Asambleja e Përgjithshme e Aksionerëve të Qendrës Sportive Kuq e zi ka vendosur që Tribunat e stadiumit të marrin emrat e personaliteteve të historisë dhe të futbollit Shqiptar

– Tribuna qendrore do të emërtohet – Tribuna Qemal Stafa,

– Tribuna Lindore(Ballore) do të emërtohet – Tribuna Panajot Pano.

– Tribuna Veriore do të emërtohet Tribuna Fatmir Frashëri.

– Tribuna Jugore do të emërtohet Tribuna Vasillaq Zëri.

Në këtë mënyrë, edhe ndarja e tifozëve do të bëhet sipas emërtimeve të zonave ku kanë paguar biletën.

E.L./Shqiptarja.com