Si Shqipëria e Enver Hoxhës, Kim Yong Un 'fshin' perëndimin nga koreanët! Ligj të ri kundër filmave, muzikës dhe veshjeve perëndimore

7 Qershor 2021, 13:00

Imagjinoni të jeni të izoluar totalisht nga bota e jashtme, pa akses në internet, pa social media dhe ku i vetmi burim informacioni të jenë disa kanale televizive të kontrolluara nga shteti,  të dizajnuara për t'ju thënë atë që udhëheqësit e vendit duan që ju të dëgjoni, e largët  madje e pamendueshme për shumë por ky është realiteti në Korenë e Veriut.

E megjithatë kjo gjë në Shqipëri është aq familjare dhe e njohur për prindërit dhe gjyshërit tanë, të cilët kanë jetuar për 45 vite nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës. E njëjtë si në Shqipëri kur muzika e huaj, veshjet apo udhëtimet ishin të ndaluara edhe Koreja e Veriut së fundmi ka prezantuar një ligj të ri gjithëpërfshirës i cili kërkon të shfarosë çdo lloj ndikimi të huaj në vend duke ndëshkuar ashpër këdo që kapet duke shikuar filma të huaj, me veshje me stil perëndimor apo dëgjohet duke përdorur një zhargon të huaj.  

Kushdo që kapet me sasi të mëdha filmash apo këngësh nga Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara ose Japonia tani përballet me dënimin me vdekje. Dhe nuk ka të bëjë vetëm me atë që njerëzit shikojnë.

Kohët e fundit, Kim shkroi një letër në mediat shtetërore duke i bërë thirrje Lidhjes Rinore të vendit për të goditur "sjelljet jo të këndshme, individualiste, anti-socialiste" midis të rinjve. Ai dëshiron të ndalojë totalisht influencën e huaj.

Daily NK, një media nga Koreja e Jugut bën të ditur se tre adoleshentë ishin dërguar në një kamp riedukimi pasi kishin prerë flokët si idhujt e tyre të K-pop dhe kishin grisur xhinset e tyre në pjesën e gjurit. E gjithë kjo sepse Kim është përfshirë tanimë në një luftë që nuk përfshin armë bërthamore ose raketa. Analistët thonë se ai po përpiqet të ndalojë informacionin e jashtëm ndërsa jeta në vend bëhet gjithnjë e më e vështirë.