Sociologu Tushi: Kuvendi është kthyer në arenë gladiatorësh, vetëm armët kanë ngelur pa u përdorur! Të vendosen kritere për përzgjedhjen e deputetëve

5 Mars, 13:55

Sociologu Gëzim Tushi ka komentuar në Report Tv situatën e krijuar prej muajsh në Kuvend, aq sa në disa raste ka degraduar edhe në dhunë verbale dhe fizike. I tillë ishte edhe rasti i deputetit Flamur Noka ditën e djeshme, i cili pati konfrontime me punonjësit e Gardës.

Sociologu Tushi e krahason Kuvendin me një arenë gladiatorësh, ku deputetët përleshen me të gjitha llojet e mjeteve, por vetëm arma ka mbetur pa u përdorur, thotë ai. 

“Anomali thelbësorë dhe mungesa e një deontologjie të saktë për deputetët. Ata janë elita, janë ata që janë caktuar jo vetëm për të drejtuar politikën e vendit, po edhe për të dhënë shembull qytetarie. Në politikë ka kontradikta, por problem është se deputetët tanë më shumë se janë politikanë, duket sikur janë militantë të vënë në llogore. Politikës ja kanë humbur esencën si zinxhir i zgjidhjes së problemeve dhe e kanë kthyer në arenë gladiatorësh. Aula e parlamentit është kthyer në arenë gladiatorësh ku përleshen me të gjitha llojet e mjeteve, vetëm armët nuk janë përdorur. Të gjitha janë përdorur, nga grushtet, dhuna verbale, psikologjike, flakadanë. Janë kthyer në armiq personal, janë disa grupe që kanë sherr të personalizuar nga arsyet më të ndryshme”, tha sociologu Tushi.