Komisioni Hetimor, Meta refuzon përfundimisht paraqitjen! Diskutohet marrja me forcë,nuk miratohet

24 Maj 2021, 12:17 | Përditesimi: 24 Maj 2021, 16:05

Komisioni Hetimor për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti Ilir Meta ka nisur tashmë mbledhjen, që është edhe afati i fundit që Ilir Meta të paraqitet për seancë dëgjimore. Sakaq presidenti Ilir Meta ka refuzuar që të paraqitet duke nënvizuar se nuk mund të diskutojë, por dhe as të dëgjohet nga një strukturë e ngritur në Kuvend, që nuk ka legjitimitet dhe nuk duhet të ekzistojë sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Në lidhje me refuzimin që Presidenti Ilir Meta i bëri Komisionit Hetimor për të marrë pjesë në mbledhje, relatorja e çështjes ka thënë se ai mund të thirret me forcë në bazë të Kodit të Procedurës Penale.

Por ky propozim duket se nuk u pranua nga anëtarët e tjerë të Komisionit Hetimor.

Në mbledhjen e fundit në qendër të diskutimeve ka qenë raportimi i ekspertëve ligjor  Erind Mërkurin dhe Artan Spahiun kontraktuar nga Kuvendi për shkeljet kushtetuese që ka kryer presidenti Ilir Meta. Eksperti ligjor Erind Mërkuri tha se nuk ka asnjë justifikim që Presidenti të shkelë neutralitetin në një fushatë elektorale dhe se gjuha e tij duhet të jetë korrekte.

Ilir Meta edhe pse ka pasur mundësinë që të paraqitet në komision gjatë javës së kaluar nuk e ka bërë, ndërsa Komisioni i ka dhënë atij afat deri ditën e sotme. Kjo është java e fundit e aktivitetit të Komisionit Hetimor dhe pritet që të jetë e ngjeshur deri në hartimin e raportit përfundimtar.

Anëtarët e Komisionit Hetimor janë Alket Hyseni, Myslym Murrizi, Klotilda Bushka, Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka, Arlind Çarçani, Ermonela Felaj, Xhemal Qefalia dhe Eugen Bojaxhi.

b.ha./Shqiptarja.com