Sot Samiti i Ballkanit Perëndimor, drejtohet nga Rama dhe Varhelyi!

10 Qershor 2021, 11:18 | Përditesimi: 10 Qershor 2021, 11:18

TIRANË- Ditën e sotme në Tiranë zhvillohet Samiti i Ballkanit Perëndimor, që mbledh në kryeqytetin shqiptar drejtuesit më të lartë të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.  Shqipëria është mikpritësja e samitit të radhës i cili zhvillohet në Pallatin e Brigadave.

Samiti drejtohet nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Ky Samit është shumë i rëndësishëm pasi vjen vetëm 2 javë para vendimit të pritshëm në Bruksel për nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatë bisedave drejtuesit e 6 shteteve të Ballkanit perëndimor Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi do të diskutojnë për projektet në rajon të përfituara në kuadër të Procesit të Berlinit.

Pritet të firmosen marrëveshje të rëndësishme në sektorin ekonomik, siç pritet të jetë ajo e vendit tonë me Maqedoninë e Veriut për lehtësimin e kalimit të mallrave ose tregtisë në të gjitha pikat e kalimit doganar, me fokus të veçantë në Qafë-Thanë.  Megjithatë, në këtë takim Shqipëria pritet të vijë me kërkesa specifike për BE-në, siç është edhe njohja reciproke e certifikave të gjelbërta të vaksinimit. Po ashtu, përshpejtimi i procedurave për uljen e tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së dhe lehtësimi i procedurave tregtare dhe të transportit me vendet kufitare anëtarë të Unioni.

b.ha./Shqiptarja.com