Supë pashaqofte me oriz në lëng nga zonja Albana

14 Shtator 2021, 11:08

Supë pashaqofte me oriz në lëng

Përbërësit për pashaqofte:

500 gr mish të grirë

1 vezë

1 qepë e thatë mesatare

1 karrotë e grirë

¼ filxhan çaji vaj ulliri

¼ filxhan çaji oriz

Kopër

Majdanoz

Kripë

Piper

Përbërësit për supën:

4 lugë vaj ulliri

1 karrotë

1 patate

1 presh

2 vezë

2 limona

1 lugë gjelle niseshte

1-2 tufa kopër

Piper i freskët

Përgatitja:

Fillimisht lajmë orizin, e kullojmë dhe e vendosim në një tas ku shtojmë mishin e grirë, një karrotë të grirë në rende, 1 qepë të grirë imët në mikser, erëzat majdanoz dhe kopër të prera hollë pa bishta, një kokërr vezë, pak vaj, kripë dhe piper. E trazojmë mirë brumin e pashaqofteve derisa përbërësit të lidhen me njëri tjetrin dhe e lëmë brumin të pushojë.

Ndërkohë fillojmë me përgatitjen e supës. Në një tigan me bazë të gjerë kaurdisim preshin të prerë në feta të holla, karrotën dhe pataten të prere në kubikë. Pasi perimet ndryshojnë pak ngjyrë shtojmë rreth 1 litër – 1 litër e 200 ml ujë dhe i lemë të ziejnë në temperaturë mesatare.

E punojmë dhe njëherë brumin e qofteve me duar dhe fillojmë realizojmë qofte të vogla rrumbullake sa një kokërr arrë. Për mbledhjen e qofteve nuk përdorim miell pasi kemi vendosur vezën për lidhje të brumit. Vendosim qoftet në tenxheren e supës. Shtrydhim lëngun e 2 limoneve dhe tresim 1 lugë niseshte. Ndajmë të verdhat e vezëve nga e bardha. Të bardhën e rrahim në marengë të lehtë dhe më pas shtojmë të verdhat dhe niseshten e tretur në lëngun e limonit. Marrrim pak lëng nga supa për të rregulluar temperaturën që vezët të mos priten dhe masën e përgatitur e shtojmë tek supa. Nuk e përziejmë me lugë, por luajmë tenxheren duke e kapur nga dorezat në mënyrë që të mos shpërbëhen pashaqoftet.

E lemë supën të marrë valë në temperature mesatare derisa pashaqoftet të gatuhen plotësisht.