Tavë me sardele nga zonja Albana

7 Nëntor 2022, 10:12

Tavë me sardele
Përbërësit:

  • 1 kg sardele
  • 2 qepë të thata
  • 3 thelpinj hudhër
  • 1 domate mesatare
  • 1 lgj galetë
  • 2 qepë të njoma
  • 1 tufë majdanoz
  • 1 limon në feta
  • 1 limon (lëngu)
  • 2-3 gjethe dafine
  • 1 spec i kuq
  • 1 gotë verë e bardhë
  • Spec djegës ose fara speci
  • Kripë, piper, rigon 

Përgatitja:
Fillimisht pastrojmë sardelet duke i filetuar në formë fluture. I marinojmë me vaj ulliri, kripë dhe piper. Grijmë imët qepët dhe hudhrat. Domateve u largojmë lëkurën dhe i presim në kubikë të vegjël. 
Lyejmë një tavë me vaj ulliri, vendosim qepën e grirë, domatet në kubikë. Bëjmë një spërkatje me vaj ulliri, kripë, piper dhe vendosim sardelet e filetuara. Në mes vendosim hudhra, bishta qepësh, spec të kuq, gjethe dafine. Tek vera e bardhë shtojmë lëngun e një limoni dhe e hedhim sipër sardeleve duke i spërkatur dhe me pak fara speci djegës. Vendosim në fund fetat e limonit dhe e vendosim tavën në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë Celsius për 30-40 minuta.