Të përndjekurit të zhgënjyer nga Basha, Çika: PD mosmirënjohëse! Na premtoi shumë gjëra

11 Mars 2021, 15:55

TIRANË- Listat e kryedemokratit Lulzim Basha ka sjellë pakënaqësi në radhët e të ish-përndjekurve politik, pasi nuk janë përfaqësuar në masën që kryedemokrati u kishte premtuar. Nebil Çika, nga Shoqata e të Përndjekurve, tha se Basha ka futur në lista njerëz që nuk kanë pasur dakordësinë e kësaj shoqate. I ftuar në emisionin "Sot Live në Shqipëri", Çika tha se para hartimit të listave Shoqata e të Përndjekurve i ka dërguar emrat për t'i përfshirë si kandidatë në garën e 25 prillit, por që nuk janë marrë parasysh. Sikur kjo të mos mjaftonte, Çika tha se edhe ato emra që janë vendosur nga të përndjekurit janë caktuar në pozicione aspak të sigurta.

"Nuk ka të përndjekur, nuk ka aq sa ne i japim elekroralisht PD, por edhe një pjesë e mirë e jona janë në vendet të pasigurta të listës. Nuk funksionoi një gjë që ne e kërkuam me ngulm. Të përndjekurit politik janë rreth 40 persona që i bie m pak se 20% e përfaqësisë, por duke llogaritur që një pjesë janë poshtë listës, dhe ky përfaqësim do jetë më pak. Por problemi është që deputetët në lista të merrte pëlqimin e 2 palëve të partisë dhe tonën, ne vërejmë që kërkesë e jona nuk është plotësuar. Ne kishim një listë të propozuar nga ne nga një përfaqësues në të gjitha qarqe, ku janë marrë parasysh 2 apo 3 emra që janë përfshirë në listën përfundimtare", tha Çika.