Të shtëna me armë zjarri në Tiranë, plagosen 2 të rinj! Ngjarja pas një konflikti të çastit, policia në kërkim të autorit

24 Korrik 2021, 22:00

Një konflikt i çastit, që ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit, ka përfunduar me dy të plagosur mbrëmjen e sotme në Tiranë. Ngjarja u regjistrua në rrugën "Todi Shkurti", në një lokal, ku mësohet se të plagosur kanë mbetur Altin Gjoka, 32 vjeç dhe Jetmir Marashi, 28 vjeç. Gjoka ka marrë një plumb në shpatull ndërsa Marashi është plagosur në gjoks. Ata janë dërguar në spitalin e Traumës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nuk dihet lidhja e dy personave të plagosur me njëri-tjetrin. Nuk ka ende një zbardhje të plotë të dinamikës së kësaj ngjarje, por paraprakisht dyshohet se të plagosurit dhe autori me inicialet A.M janë përplasur me makinë, gjë ka çuar në një përplasje, fillimisht verbale mes tyre, por që më pas u nxorën armët. Pas ngjarjes, autori, i cili është identifikuar nga policia dhe po punohet për kapjen e tij, është larguar me makinë. Policia ka ngritur postblloqe në rrugët e Tiranës, për të bërë të mundur kapjen e tij, ndërsa janë shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Për momentin nuk dihen më shumë detaje për ngjarjen, ndërsa policia ka nisur hetimet.