Thyen arrestin shtëpiak dhe gjendet i mbytur në rezervuarin e Gjançit në Korçë! Identifikohet 25 vjeçari, dyshohet se është goditur me një mjet të fortë

13 Qershor 2021, 16:19

KORÇË- Thyen arrestin shtëpiak dhe gjendet në ujërat e Rezervuarit të Gjançit në Korçë. Bëhet fjalë për Fridman Xhaferraj, 25 vjeç i cili në datën 21 maj është liruar nga dhomat e paraburgimit duke u lënë në arrest shtëpie në fshatin Plug të Lushnjës. Xhaferraj ishte i akuzuar për zjarrvënie të pronës së tjetrit, përfshirë 3 makina pranë një qendre tregtare. Burime të sigurta thanë se në trupin e 25-vjeçarit janë konstatuar shenja të shumta dhune në trup dhe kokë, ç'ka tregon se 25-vjeçari para se të hidhej në ujërat e Rezervuarit të Gjançit është dhunuar deri në vdekje diku tjetër. Policia shprehet se po punohet për sqarimin e gjithë dinamikës së ngjarjes.

"Më datë 13.06.2021, rreth orës 11:13, në rezervuarin e Gjançit, në Korçë, është konstatuar i mbytur një shtetas ende i paidentifikuar. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon puna për identifikimin e trupit të pajetë si dhe për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Trupi i pajetë do të dërgohet drejt morgut, përgjigjja e ekspertizës mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes", shkruhet në njoftimin e Policisë.