TIRANË- Pas më shumë se 48 orësh në arrati, efektivi i policisë Erjon Goxhara i cili plagosi me 6 plumba inxhinierin e ERE, Lorenc Kostën te zona e ‘Komunës së Parisit’ në kryeqytet, është vetëdorëzuar sot (21 gusht) në polici. Efektivi, kishte edhe armën e shërbimit me të cilën kreu veprën penale, duke qëlluar 46-vjeçarin në pjesën e poshtme të trupit, pasi ky i fundit kishte lidhje jashtëmartesore me gruan e tij.
Erjon Goxhara pasi është vetëdorëzuar në polici është shfaqur në kushte të rënduara psikologjike. Në deklarimet paraprake ai ka thënë para kolegëve se është penduar për krimin e kryer dhe se plagosjen e ka kryer në kushte të rënduara psikologjike për shkak të situatës së krijuar.
'Në vijim të informacionit të dhënë më datë 19.08.2024, për ngjarjen e ndodhur në afërsi të një marketi në rrugën "Tish Daija", sot, rreth orës 17:00, është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, së bashku me armën e shërbimit me të cilën ka kryer veprën penale, shtetasi Erjon Goxhara, 46 vjeç. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.'- njofton polica.