Tiranë, vrau aksidentalisht shokun e tij në lokal, burg për autorin, 'arrest shtëpie' për 2 miqtë e viktimës, 4 të tjerë lihen të lirë! Të pandehurit u shfaqen kokulur para gjykatës

15 Maj 2021, 15:13

Ka mbetur në burg Marjus Dema, 28 vjeç, autori i vrasjes së shokut të tij Mehmet Qemës në zonën e 5 Majit në Tiran. Gjykata e Tiranës ka vendosur të mbajë vetëm 28-vjeçarin, i cili është shfaqur kokulur dhe tepër i mërzitur në seancën gjyqësore. Dema madje gjatë dëshmisë së tij kur u vetëdorëzua në polici ka qarë, ndërsa mes lotëve shprehej se i vinte shumë keq për shokun e tij pasi nuk donte ta vriste por ngjarja ishte aksidentale pasi nuk e dinte që ishte e mbushur. Gjykata e Tiranës dha masën "arrest ne shtepi' per te dyshuarit Frenkli Myftari, Xhuliano Koçi, ndërsa për Erlin Pekën, Blerim Hotin, Eder Pjetrin dhe Marjus Halilin dha masën ‘Detyrim Paraqitje’ 27-vjeçar Mehmet Qema nga Hasi, u vra me një plumb në gjoks nga shoku i tij Marjus Dema pasi ishin duke konsumuar alkool në lokalin e autorit. Qema pasi u qëllua nga miku i tij u dërgua me urgjencë në spital, por nuk ka mundur t'i mbijetojë plagëve, pasi plumbi i kishte prekur organet jetësore duke humbur jetën. Arma e krimit tip pistoletë është dërguar në laboratorin e policisë për t’u ekzaminuar nëse është përdorur apo jo në krime të tjera. Në videon e siguruar nga Report Tv pak minuta para se të ndodhte vrasja, dukej 28-vjeçari Marjus Dema, ka marrë armën dhe ia ka drejtuar viktimës, i cili ndodhej në lokal bashkë me pesë shokë të tjerë. Mësohet se kur e ka qëlluar Qema ka qenë i ulur në tavolinë me shokët dhe ka marrë një plumbi që ka rezultuar fatal. Në lokalin e marrë me qira nga Marjus Dema, kontrollit policia ka gjetur edhe një pajisje për të prodhuar online kriptomonedhën Bitcoin. Pajisja ishte e instaluar në ambientet e lokalit, ndërsa kjo ka bërë që në këtë ngjarje të përfshihet edhe Krimi Ekonomik. Asnjë nga të ndaluarit nuk e kanë pranuar pronësinë e laboratorit të kriptomonedhave, por sipas prokurorisë dyshohet se të gjithë të arrestuarit kanë patur dijeni. Një ditë më parë policia kontrolli një nga magazinat që ndodhen në afërsi të lokalit në lagjen “5 Maji”, për të parë nëse aty ka prova që të çojnë në një veprimtari të jashtëligjshme me të cilën merreshin të rinjtë.