'U ofrova 300 mijë euro dhe banesë'/ Pronari i truallit te 'Petro Nini' sqaron konfliktin me dy familjet: E vërteta ime

12 Mars 2019, 22:07

TIRANE- Pronari i truallit të godinës në zonën e "Petro Ninit", Aleksandër Gavoçi ka reaguar për herë të parë pas konfliktit me dy familjet Llapaj dhe Dervishi, të cilat përmbarimi tentoi që ti largonte për t'i hapur rrugë kështu zbatimit të vendimit të gjykatës, që i kishte dhënë të drejtë biznesmenit të ndërtimit.

Gavoçi që është trashëgimtari ligjor i Ali Rizait, ka dërguar në redaksinë e Shqiptarja.com të gjitha dokumentet duke sqaruar të gjithë historikun e pronës, nga sekuestrimi në 1939, rikthimi në 1944 dhe sekuestrimi për herë të dytë në 1949 nga shteti komunist. Ndërkohë që në vitin 1995 me ndryshimin e sistemit, Kthimi dhe Kompensimi i Pronave vendosi njohjen e pronës. Ai thotë se me vendim gjykate dy familjet në vend që të dorëzonin pronën po e përdorin në keqbesim.

Aleksandër Gavoçi shpjegon edhe arsyet se përse u ofroi marrëveshjen dy familjeve edhe pse vendim i gjykatës ishte në favorin e tij. "Edhe pse disponojmë të gjitha të drejtat, kemi hyrë në negociata dhe kemi firmosur akte vit pas viti, ku kemi pasqyruar vullnetin e mirë dhe anën njerëzore, për ti ndihmuar këto familje, të cilat mua si pronar më kanë dëmtuar, por nga krahu i tyre janë dëmtuar nga shteti asokohe, duke blerë prona pa të drejtë" thotë ai.

Aleksandër Gavoçi deklaron se dy familjeve u ka ofruar sipërfaqe banimi dhe nga 150 mijë euro, 300 mijë në total. Biznesmeni thekson se kanë firmosur vit pas viti kontrata me familjet për marrëveshjen, por që nuk janë respektuar, pasi Llapaj dhe Dervishi nuk pranojnë që të lirojnë godinën. Ai mohon deklaratat e tyre se po nxirren në rrugë, pasi sipas tij u është ofruar strehim dhe marrëveshje që nuk e kanë pranuar dhe shton se këto familje janë pronarë të një vile në Qesarakë. Aleksandër Gavoçi nuk sqaron se përse është refuzuar marrëveshja, ndërsa edhe dy familjet pretendojnë të njëjtën gjë për pronarin e tokës (lexo ketu)

Dy familjet janë në proces legalizimi për shtesat që kanë bërë në godinë dhe në pritje të përgjigjes. Pikërisht këtu duket se qëndron ngërçi, pasi dy familjet kërkojnë që të zgjerohet marrëveshja për të përfituar më shumë nëse legalizohet shtesat që kanë bërë. Në datë 30 janar të këtij viti Gjykata e Apelit dha vendimin e formës së prerë në favor të biznesmenit Aleksandër Gavoçi, i cili përmes përmbarimit kërkoi zbatimin. Por pas përplasjes ditën e djeshme, cështja është sërish në gjykatë. Pjesëtarët e familjeve tek “Petro Nini" kërkojnë nga gjykata e Lartë shqyrtimin me përparësi të kërkesës për pezullim të ekzekutimit të vendimit të studios përmbarimore.