Një pjesë e banorëve të Shkozës kanë dalë këtë të martë për të protestuar sërish kundër projektit së “Unazës së Madhe”, duke bllokuar rrugën e rrjedhimisht dhe qarkullimin.
Duke vijuar protestën e paradites së djeshme, banorët instistojnë në dëmshpërblimin që u duhet t’iu bëhet për shembjen e ndërtesave. Ndonëse ato kanë pohuar se truallin e kanë blerë me para në dorë nga persona të tjerë dhe se i kanë të palegalizuara ato, këto banorë shprehen se nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga protestat.
Ata po përkrahen sërish nga deputetët demokratë. Aldo Bumçi, i cili dje u përplas me inspektorin e IKMT-së Fatmir Meta, sot deklaroi se zgjidhja e kësaj situate do të vijë vetëm si pasojë e një proteste të zhvilluar përpara Kryeministrisë. “Ta largojmë atë njeri që po sillet si pushtues. Nuk ka rrugë tjetër”, u shpreh Bumçi për kryeministrin Edi Rama.
Fill pas tij, një banor i Shkozës u shpreh se “kryeministri duhet ta dijë që familja është e shtrenjtë”, duke i bërë thirrje njëkohësisht që të heqë dorë nga projekti i “Unazës së Madhe”, që sipas tyre është i paligjshëm. Sipas kësaj pjese të banorëve të Shkozës, ende nuk ka mbërritur një ekspert që të vlerësojë banesat.
Sot ka pasur sërish momente tensioni, fillimisht në mëngjes në Shkozë, ndërsa në mesditë në Laprakë ku një familje kundërshtoi shembjen e banesës dykatëshe duke u ngujuar brenda.
IKMT e nisi aksionin për shembjen e banesave në Shkozë më datë 26 nëntor. (Lexo këtu) Por nëse në Shkozë preken 16 objekte, në zonën e "Astirit" preken 317 banesa. Një pjesë e banorëve të kësaj zone, që i kanë shtëpitë dhe bizneset e palegalizuara, janë ngritur në protestë prej 30 ditësh për të kundërshtuar projektin.
Protesta është shtrirë edhe në sheshin "Shqiponja", tek "Unaza e Re", para Bashkisë të Tiranës dhe përpara Kuvendit. Kjo e fundit është cilësuar si protesta më e dhunshme e këtyre banorëve, pasi solli plagosjen e 15 efektivëve dhe 3 qytetarëve.