TIRANE - Pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama kanë dhënë dorëheqjen tetë drejtorë në Shkodër. Report Tv ka siguruar emrat e tetë drejtorëve që kanë dorëzuar dorëheqjen nga posti që mbanin deri tani. Emrat e larguar janë; Kadri Ymeri, Ardian Dajti (e pakonfirmuar), Mustaf Kraja, Luan Heta, Fuat Alibali, Edmond Emini që është edhe kryetar i PS-së në Shkodër, Agim Dardha dhe Astrit Beci, i cili është një nga emrat e lakuar si zëvendësues i Valdrin Pjetrit në postin e kordinatorit politik të qarkut të Shkodrës.
Report Tv ka siguruar dorëheqjen e dorëzuar nga drejtori i Administratës së Zonave te Mbrojtura Agim Dardha, inxhinier prej 25 vitesh. Në letër Dardha thotë se arsyet janë objektive, por shkak ka qenë urdhri i Edi Ramës pak ditë më parë. Lista e drejtorëve të dorëhequr pritet që të zgjerohet, pasi nga 33 drejtori që janë në Shkodër gjysma drejtohen nga burra.
Ndërsa përsa u përket drejtorive që drejtohen nga gratë pritet që të ngrihet një grupin pune për të bërë vlerësimet. Dje në mbledhjen me drejtorët politikë të qarkut të Shkodrës Rama urdhëroi që të gjithë burrat të japin dorëheqjen ndërsa për disa nga gratë do të rishikohet pozicioni.
Kreu i qeverisë u shpreh se këto ndryshime nuk bëhen për shkaqe personale por bëhen për të krijuar një imazh të ri të PS në Shkodër. Kjo çështje u diskutua edhe në mbledhjen e kryesisë së PS. Deputeti socialist Ditmir Bushati doli kundër këtij vendimi. Përmes një letre drejtuar kryesisë së PS ai është shprehur se shkarkimet nuk janë zgjidhja për situatën e krijuar në Shkodër.
Lista e Drejtorëve të dorëhequr në Shkodër;
Kadri Ymeri - Drejtor i DAR Shkodër
Ardian Dajti - Drejtor i Spitalit të Shkodrës (e pakonfirmuar)
Mustaf Kraja - Drejtor i Bujqësisë Shkodër
Luan Heta - Drejtor i HEC Vau Dejës
Edmond Emini - Drejtor i Postës Shkodër ( Kryetar i PS Shkodër )
Agim Dardha - Drejtor Administrata e Zonave te Mbrojtura ne Shkoder
Astrit Beci - Drejtor i Shendetit Publik Shkoder
Fuat Alibali – Drejtor i OST