Ushtria izraelite bombardon shtëpinë e liderit të Hamasit! BE mbledhje të jashtëzakonshme me ministrat e Jashtëm për të diskutuar që t'i jepet fund dhunës

16 Maj 2021, 12:01

Ushtria Izraelite thotë se ka bombarduar shtëpinë e liderit politik militant paelstinez Hamas, gjatë valës së sulmeve ajrore në Rripin e Gazës. Në një video të postuar në Twitter, ushtria izraelite thotë se ka goditur shtëpinë e Yahya Sinwar, udhëheqësi i përgjithshëm i grupit në territor.

Ushtria izraelite tha se kishte goditur shtëpitë e Yahya Sinwar dhe vëllait të tij Muhamed Sinëar, të cilin e përshkroi si kreun e logjistikës dhe fuqisë punëtore për Hamasin.  Sulmet ajrore izraelite në Gaza vranë të paktën 26 njerëz mëngjesin e së dielës, thanë zyrtarët atje.

Nga ana tjetër militantët qëlluan më shumë raketa në drejtim të Izraelit, duke detyruar njerëzit që të largoheshin për tu strehuar. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar se do të "vazhdojë të përgjigjet me forcë" ndaj sulmeve me raketa, pavarësisht thirrjeve nga komuniteti ndërkombëtar për t'i dhënë fund konfliktit të përshkallëzuar.

Nga ana tjetër shefi i politikës së Jashtme në Bashkimin Europian, Josepf Borrel në një shënim në Twitter lajmëroi se ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të ministrave të Jashtëm të BE-së ditën e martë. Borrel shton se BE do të diskutojë sesi mund të kontribuojë më mirë për t'i dhënë fund dhunës aktuale.

'Në funksion të përshkallëzimit të vazhdueshëm midis Izraelit dhe Palestinës dhe numrit të papranueshëm të viktimave civile, unë jam duke thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Ministrave të Jashtëm të BE të Martën. Ne do të koordinojmë dhe diskutojmë se si BE mund të kontribuojë më mirë për t'i dhënë fund dhunës aktuale'- tha Borell.