Vdekja e 4 rusëve në Qerret, Shefi në Krimet e Rënda për Report Tv: Gjendja e mushkërive të tyre na tregon për asfiksi! Ishin njerëz të thjeshtë, vëmendje maksimale hetimeve

28 Tetor 2021, 14:32 | Përditesimi i fundit: 2021-10-28 16:54:42

Për Josif Shtëmbarin, shef sektori në Drejtorinë e krimeve të rënda në Policinë e Shtetit, ngjarjet e fundit kriminale që kanë tronditur opinionin publik kanë tronditur edhe situatën normale të rendit dhe sigurinë në vend.

"Në përgjithësi gjendja e kriminalitetit në të gjithë territorin është pothuajse nën kontroll, përveçse këtyre ngjarjeve të fundit. Vazhdimisht, nga strukturat por edhe me urdhër të drejtorit të përgjithshëm ka vëmendje. Tre katër ngjarjet e fundit kanë pasur impakt. Po ta shohësh situatën në përgjithësi dhe po ti krahasosh me një vit më parë, numri i veprave penale ka një rënie të ndjeshme. Puna e policisë ka avancuar. Po bëhet një luftë frontale me krimin", tha ai në një intervistë në studion e Report Tv.