Veliaj nga Kavaja: Fyerje për demokratët që të votojnë listat e Ilir Metës! Ne e duam bashkinë për bashkëpunim me qeverinë dhe jo për të hapur sherr

1 Prill 2023, 15:48

Nga Kavaja, gjatë prezantimit të kandidatëve për Këshillin Bashkiak, drejtuesi politik i Qarkut të Tiranës, Erion Veliaj e quajti fyerje atë që po u bëhet demokratëve, të cilët në 14 Maj, Sali Berisha po u thotë të votojnë listën e njerëzve të Ilir Metës dhe ish-LSI.

“A ka fyerje më të madhe për demokratët, që të detyrohen nga Sali Berisha dhe të votojnë listën e Ilir Metës? Të Ilir Metës, armikut më të përbetuar të së djathtës? Atë që rrëzoi çdo qeveri të djathtë? Që minoi çdo qeveri të djathtë dhe tradhtoi çdo pakt me të djathtën? Sot po i kërkohet një demokrati të shkojë dhe të votojë listën e Ilir Metës, që çdo ditë dalin faturat se paguhet nga Rusia. Shokë, kush është ai demokrat që me sinqeritet pranon të shkojë si ‘cjapi te kasapi’? I them të gjithë demokratëve, mos mendoni Saliun dhe Ilirin, se ata boll halle kanë. Mendoni të zgjidhni hallet tuaja që i zgjidh Partia Socialiste dhe Redi Krali, këtu në Kavajë. Mos u merrni me hallet e Ilirit dhe të Saliut se ato nuk i zgjidhni dot, por që të fyhet çdo demokrat i Kavajës dhe t’i kërkohet që të votojë listën e rublave të Ilir Metës, ku praktikisht po shitet Partia Demokratike, te armiku më i betuar i të djathtës, ky është mëkat i madh. Ndaj, ftesa për çdo demokrat është: O shokë, çunat dhe gocat e Partisë Socilaliste, Redi Krajli dhe Këshilli ynë Bashkiak, janë përditë me ju, janë çdo orë me ju, jetojnë me ju, punojnë për ju dhe janë pjesë e skuadrës tonë fituese”, tha Veliaj.