Veliaj: Pse Meta nuk e vendos emrin në fletën e votimit?

16 Prill 2023, 19:31

Kandidati i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj, në vijim të rrugëtimit të gjelbër drejt 14 Majit, u ndal edhe në Lagjen 12 në Dajt, ku takoi banorët e zonës dhe mbolli disa pemë me ta. Ai ironizoi hapjen e fushatës së koalicionit Berisha-Meta, kur tha se ata i kanë braktisur edhe njerëzit e tyre, pasi stadiumi “Arena Kombëtare” dje ishte bosh si asnjëherë më parë.

“Saliu kishte më shumë kandidatë për bashkitë në skenë, se sa militantë në stadium. Një burrë 80-vjeç u bënte fjalim stolave bosh. Qartazi shumica e demokratëve kishin ardhur nga kurioziteti për të parë sa i bukur ishte stadiumi dhe nuk kishin asnjë interes për të dëgjuar Saliun dhe Ilirin. Nuk kanë faj demokratët që i braktisin, erdhën se u thanë është falas hyrja në stadium. Kur luan Tirana me Partizanin nuk ikën njeri nga stadiumi. Ndërkohë, kur luan Ilir Meta me Saliun dihet që ndeshja është e shitur dhe e humbur. I rroftë Saliut dhe Ilirit që harxhuan 100 e ca mijë euro, që meqë ra fjala dikush duhet të përgjigjet nga vijnë. Se parti që nuk marrin lekë nga KQZ-ja, që nuk janë të përfaqësuara me logo dhe vulë, duhet të japin llogari ku I gjejnë paratë. Por imagjinoni, kanë harxhuar gjithë ato para dhe imazhi i vetëm që u ngeli është stadiumi bosh”, tha Veliaj.