Veliaj: S’tërhiqem nga akuzat për Dukën, në Tiranë e fituam betejën për futbollin

11 Maj 2022, 19:44

Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se nuk tërheq asgjë nga akuzat e bëra në drejtim të FSHF-së dhe të Presidentit të saj Armand Duka. Në një intervistë për Report tv, Veliaj theksoi se Bashkia e fitoi betejën me FSHF për të pasur zgjedhje të drejta në kryeqytet.

“Ne patëm një betejë për Shoqatën e Tiranës, Gjykata na dha të drejtë, dhe zgjedhjet që ne pretendonim që ishin ato me një anëtar, një votë, të shoqatave, dhe që zgjodhën Eduart Prodanin, ishin zgjedhjet e vlefshme. Këtë vendosi Gjykata. Zoti Duka e ka njohur atë vendim dhe unë jam kryetari i Bashkisë së Tiranës. Po të isha i Kukësit do të merresha me zgjedhjet në Kukës, ose po të isha i Beratit, do merresha me zgjedhjet ne Berat. Unë jam i Tiranës, kështu që u sigurova që në Tiranë nuk pati vjedhje dhe në Tiranë drejtësia foli. A mendoj se duhet bërë një betejë kombëtare që, siç sollëm transparencë në Tiranë, të sjellim në çdo qytet? Dhe të mos vidhen zgjedhjet dhe ëndrrat e kalamajve të mos trafikohen? Patjetër që po! Por këtu secili duhet të bëjë betejën e vet. Unë sot jam kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe solla drejtësi në këtë zonë të qytetit, që ishte Shoqata e Futbollit. Aty ku unë shërbej, që është qyteti i Tiranës, a meriton të vazhdohet ky debat? Unë besoj që po, por për çdo gjë ka një kohë”, tha ai.