Vendimet skandaloze për Gjutën! Njëra gjykatë e liroi tjetra kërkoi t'i nënshtrohej regjimit 41 bis

11 Shkurt 2020, 14:58

TIRANË - Një tjetër skandal i drejtësisë. Në të njëjtën ditë, më 5 shkurt, Gjykata e Fierit dhe Gjykata e Tiranës, kanë dhënë dy vendime në kontrast 100% me njëri-tjetrin, ndaj Vladimir Gjutës. Gjykata e Fierit ka kërkuar që Gjuta t'i nënshtrohet regjimit 41 bis në burg, ndërsa e Tiranës ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij. Vendimi që është ekzekutuar është ai i Gjykatës së Tiranës, që i dha liri Gjutës. Vetëm 5 ditë më pas, më 10 shkurt Vladimir Gjuta, u arrestua sërish nga policia në Tiranë pranë selisë së Partisë Socialiste me një pistoletë pa leje me vete, mbi 120 mijë euro dhe një dorezë metalike, ndërsa tashmë ndaj tij, Prokuroria e Tiranës ka nisur edhe një hetim pasuror. Po dje, Gjutës iu sekuestrua edhe një makinë e blinduar Audi A8.

Gjyqtarja e Fierit, Arta Duka, pas kërkesës së prokurorit Genci Mane,  ka vendosur të konfirmojë urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, për ta kaluar Gjutën, në regjimin e mbikëqyrjes së veçantë në burgun e Fierit, për një periudhë 3 mujore. 

Drejtori i Burgjeve e ka lëshuar këtë urdhër pas informacioneve se kur ka qenë në burgun "Jordan Misja" në Tiranë, i paraburgosuri Vladimir Gjuata, ka kryer disa shkelje disiplinore. Shkeljet që ka kryer Gjuta datojnë në janar 2020 për të cilat me shkresë ky institucion ka njoftuar Agim Ismailn, kreun e Burgjeve. Më tej, më 3 shkurt, drejtori i Burgjeve lëshoi urdhrin për izolimin e Gjutës, i cili ndodhej në ato momente i paraburgosur në Fier për akuzën e plagosjes së rëndë me dashje.

Vladimir Gjuta, thuhet në vendimin e Gjykatës së Fierit, ka shkelur disa herë rregulloren e përgjithshëm të Burgjeve, duke cënuar rregullin dhe sigurinë në institucion, si dhe duke rrezikuar shëndetin e të paraburgosurve të tjerë. Po ashtu, Gjykata e Fierit ka rrëzuar edhe pretendimet e palës mbrojtëse, se Gjuta, i ka kryer këto veprime " në kushtet e gjendjes shëndetësore të tij", duke thënë se "nuk janë të bazuara pasi nuk rezultoi në gjykim se gjendja shëndetësore e të paraburgosurit të jetë e tillë që ta përjashtojë nga përgjegjësia ligjore për veprimet e kryera".

Por sikur të mos mjaftonte ky vendim, futet në lojë Gjykata e Tiranës, po në të njëjtën ditë me një tjetër trupë gjykuese, vendos lirimin e Gjutës. Më 5 shkurt 2020 gjyqtari Kreshnik Omari revokon masën  e sigurimit personal dhënë ndaj Gjutës, atë të "arrestit me burg", duke i dhënë lirinë

Me dy faqe vendim, pa asnjë argument, gjyqtari Omari ka vendosur të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të Gjutës nga dhomat e paraburgimit Fier aty ku ishte vendosur që ai të izolohej.

Por përse është zbatuar vendimi i gjykatës së Tiranës dhe jo ai i Fierit, nga dy gjykata të së njëjtës hierarki?! Mbetet një mister që thellon skandalin e drejtësisë shqiptare, pasi të dyja gjykatat janë shkallët e para të drejtësisë dhe jo një gjykatë më e lartë.