TIRANE - Policia dhe Prokuroria e Tirane kanë nisur hetim pasuror ndaj Vladimir Gjutës, pas ngjarjen së djeshme pranë selisë së Partisë Socialiste kur vetëm pak minuta para se të niste mbledhja e kryesisë, dhe kryesocialisti Edi Rama kishte mbërritur në seli, efektivët e gardës dhe të policisë arrestuan Vladimir Gjutën me një pistoletë me fishekë në gojë, rreth 180 mijë euro me vete (në valutë të ndryshme), dorëze metalike, i kamufluar me një kapele në kokë, në trotuar pranë një pike të këmbimit valutor. 

Policia thotë se ndaj Gjutës, në bashkëpunim edhe me prokurorinë e Tiranës, ka nisur tashmë hetimi pasuror, pikërisht për vlerën e madhe të parave që ai kishte me vete. Pas ndalimit nga policia, Gjuta tha se pistoletën e kishte me vete për vetëmbrojtje për shkak se do të këmbente vlerën e madhe të parave, nga euro në lekë. 

Në një njoftim zyrtar, policia thotë se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një pistoletë, municion luftarak, shuma të mëdha parash dhe një automjet i blinduar, Audi A8 që e kishte në përdorim 40-vjeçari Vladimir Gjuta.

Policia thotë se "shërbimet e Komisariatit të Policisë Numër 3, në rrugën "Çamëria", rreth orës 08:45, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të Gjutës, banues në Tiranë, i cili rezulton i dënuar më parë".

"Në momentin e kapjes nga Patrullat e Përgjithshme Gjutës iu gjetën me vete një pistoletë me municon luftarak, një dorezë grushti metalike, si dhe një sasi e madhe parash në valutë dhe lekë shqiptare. Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar dhe atë të Krimeve ndaj Jetës dhe Personit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij Gjutës  ku kanë gjetur dhe sekuestruar edhe shuma të tjera parash", njofton policia.

Në total iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 121.100 euro, 27.500 dollarë amerikanë, 22.970 paund anglez dhe 664.500 lekë të reja.

Po gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë sekuestruan edhe një automjet të blinduar autoveturë Audi A8, me të cilën qarkullonte.

Gjuta do të hetohet nga Prokuroria e Tiranës për veprat penale “Armëmbajtja pa leje", “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale".