TIRANË - Vetëm 10 minuta para se të niste mbledhja e kryesisë së PS, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, efektivë të Gardës e të policisë, arrestojnë jashtë selisë së PS Vladimir Gjutën me një pistoletë me fishekë në gojë, një dorezë metalike dhe mbi 100 mijë euro me vete në një çantë firmato "Gucci".

Në një kohë kur në selinë e Partinë Socialiste ndodhej kryeministri Edi Rama dhe eksponentë socialistë, 10 minuta para nisjes së mbledhjes së kryesisë, efektivët e Gardës në shërbim pranë selisë rozë për ruajtjen e zyrtarëve, kanë pikasur një person të dyshimtë me xhup, kapele Louis Vuitton dhe një çantë në brez, në trotuarin pranë selisë,  përballë një exchange në zonën e "Dollarit". Menjëherë kanë kërkuar ndërhyrjen e forcave "Shqiponja" dhe të efektivëve të komisariatit numër tre. Oficerë të Gardës, të cilët kanë detyrë të monitorojnë perimetrin e sigurisë rreth selisë së PS-së, dhe dy të Shqiponjave kanë ndërhyrë duke ndaluar të dyshuarin, i cili rezultoi të ishte Vladimir Gjuta, i liruar nga paraburgimi disa ditë më parë. Gjuta kishte në çantë një pistoletë e cila ishte me plumb në gojë, që do të thotë gati për të qëlluar. Atij i janë gjetur me vete në një çantë me mbishkrimin Gucci edhe një vlerë e konsiderueshme parash, mbi 100 mijë euro si dhe një dorezë metalike. Pas ndalimit ai është shoqëruar në polici, nga ku mësohet të ketë deklaruar se pistoletën (me 23 fishekë) e kishte me vete për vetëmbrojtje, pasi do të këmbente një sasi të madhe parash.

A është ky një atentat i mbetur në tentativë ndaj eksponentëve të Partisë Socialiste, apo është një person i arrestuar vetëm për armëmbajtje pa leje, këto dyshime pritet t'i shuajnë hetimet e nisura.

Pas arrestimit të Gjutës, efektivët e Gardës dhe Departamenti i Sigurisë për funksionarët e lartë, kanë rritur sigurinë. Kështu, kryeministri Edi Rama, i cili mbërriti pak para orës 09:00 në selinë e PS-së me makinën tip Benz që udhëton në kryeqytet, në përfundim të mbledhjes, rreth orës 09:30 ka dalë nën shoqërinë e kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi. Por efektivët e gardës i kërkuan të kalojë tek "Lincoln", të cilin kreu i qeverisë zakonisht e përdor për udhëtime të gjata jashtë Tiranës, për shkak të sigurisë më të lartë që ka.

1581331146_rama.jpg

Vladimir Gjuta dhe kryeministri Edi Rama pas mbledhjes, largohet me 'Lincoln'

Vladimir Gjuta u lirua nga paraburgimi disa ditë më parë, pasi u arrestua për plagosje ndaj kushëririt të tij. 40-vjeçari përfundoi në pranga më 4 janar të këtij viti, pasi kishte rrahur me çekiç duke i thyer dhëmbët kushëririt të tij. Më herët Gjykata e Tiranës dha për Gjutën vendimin për mjekim të detyruar në psikiatri. Ndërsa së fundmi ai u la në detyrim paraqitje.

Gjuta nuk është i panjohur për drejtësinë shqiptare dhe policinë. Kohë më parë, ai ka kanosur edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për të cilin dyshohet se është autori i vendosjes së lëndës plasëse në farmacinë e babait të tij, Bashkim Tahirit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:22
Zbardhet dëshmia e Gjutës në polici: Pistoletën e mbaja për të ruajtur 100 mijë eurot

1581330215_gjutaa.jpg
Report Tv ka zbardhur edhe deklaratën  e  Vladimir Gjutës pasi u kap me pistoletë të mbushur dhe me një shumë parash prej 100 mijë eurosh që kishte në një çantë firmato "Gucci".

Gjuta para oficerëve të policisë ka thënë se pistoletën e mbante për të ruajtur paratë që kishte me vete ndërsa ka thënë se ato do t'i këmbente pranë një pike "Exchange".

Gjuta fillimisht është pikasur nga rojet e Gardës që ishin pranë Selisë së PS, të cilët kanë tentuar ta ndalojnë atë sapo e kanë parë. Gjuta i cili në kokë mbante një kapele, ka kundërshtuar dhe në këtë moment atij i ka rënë pistoleta në tokë. Punonjësit e gardës kanë njoftuar menjëherë policinë të cilët më pas kanë arrestuar Gjutën.

Ora 10:47
Arrestimi i Gjutës pranë selisë së PS, Rama erdhi në seli me 'Benz' dhe iku me 'Lincoln' (VIDEO)

Pas arrestimit të Vladimir Gjutës, 10 minuta para se të fillonte mbledhja e Kryesisë në Partinë Socialiste, ka bërë që Garda të rriste sigurinë e kryeministrit Edi Rama.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se kryeministri Rama fillimisht ka ardhur me makinën e tij 'Benz', ndërsa më pas është larguar për çështje sigurie me makinën "Lincoln"

Report tv ka siguruar edhe pamjet në momentin kur Rama futet në makinën "Lincoln".

Ora 10:46
Si u ndalua Vladimir Gjuta me kapele në kokë pranë një "Exchange", me vete kishte 100 mijë euro, pistoleta i ra në tokë

1581325649_gjuta.jpg
Gazetari i Shqiptarja.com, Elton Qyno bën me dije se Vladimir Gjuta ka qenë pranë një "exchange" ndërsa në një çantë "Gucci" dyshohet se ai kishte një shumë prej 100 mijë eurosh.

Gjuta ka qenë duke lëvizur  në trotuar te maskuar me kapele, por punonjësit e gardës e kanë mbajtur nën vëzhgim për shkak të të kaluarës së tij, dhe në momentin kur i janë afruar për ta ndaluar, Gjutës i ka rënë pistoleta në tokë. Në këtë moment punonjësit e gardës kanë njoftuar policinë ku këta të fundit kanë bërë të mundur edhe arrestimin e Vladimir Gjutës.

Policia ka shkuar për kontroll edhe në banesën e Vladimir Gjutës.