'Venecia' shqyrton 30 qershorin në 14 tetor! Shqipëria e vetmja me kërkesë nga Gjykata Kushtetuese, shtetet e tjera nga ministra e deputet

13 Korrik 2021, 12:56 | Përditesimi i fundit: 2021-07-13 13:46:59

Me datën 14 tetor, Komisioni i Venecias pritet që të shqyrtojë kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për një opinion për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Sipas Komisionit të Venecias, çështja do të shqyrtohet, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese për të adresuar juridiksionin mbi kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor dhe ndërlidhjen e parimeve themelore kushtetuese të periodicitetit të zgjedhjeve lokale dhe pluralizmit politik, për zgjedhjet e vitit 2019. ‘Më 9 korrik 2021 Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë kërkoi një opinion “amicus curiae” për të adresuar në veçanti juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor dhe ndërlidhjen e parimeve themelore kushtetuese të periodicitetit të zgjedhjeve lokale dhe pluralizmit politik, në marrëdhënie me zgjedhjet lokale të vitit 2019. Kjo çështje do të trajtohet në seancën e 129 të Gjykatës (dhe seanca me datat 14-16 Tetor)’,- thuhet në njoftimin e Komisionit të Venecias.