Verdi Take, kineasti që “luftoi” për të ndjekur pasionin

14 Dhjetor 2022, 18:50 | Përditesimi i fundit: 2022-12-14 19:01:18

Ishte 7-vjeç kur kishte lindur tek ai dëshira e madhe për të ndjekur teatër. Dhe ky moment ishte për të mbi gjithçka. Ai hynte fshehurazi në sallë dhe shihte më ëndje shfaqjet e teatrit,një dëshirë që ngjizi tek ai pasionin për ta ndjekur këtë rrugë. Skena që të kujtojnë filmin e famshëm të Tornatores “Cinema Paradiso” por njëherësh dëshirën e pa lëkundur që lind me njeriun,për të njekur një pasion në jetë. Edhe pse mes sfidave,kështu do të ishte për regjisorin Verdi Take,i cili erdhi në program për të na rrëfyer jetën dhe profesionin, që u bë vetë jeta e tij. Bir i një familjeje artistësh,ai lindi me emrin e një kompozitori si Giuseppe Verdi. I ati flautist,me admirimin për artistët e quajti atë Verdi,ndërsa të bijën Anita. Jeta për të ka qenë sfiduese,por ai rrëfen se asnjë rrugë e detyruar që iu desh të merrte në jetë nuk e zbehu tek ai, pasionin për filmin dhe regjisurën. Në vitet ‘60, ai punoi si një nga skenaristët dhe regjisorët e atyre filmave ushtarakë në Kinostudion “Shqipëria e re”. Edhe pse përfundoi fakultetin Ekonomik dhe Shkollën Ushtarake asgjë nuk e dorëzoi atë dhe përkushtimin për filmin. Ai ende sot, në moshën 85-vjeçare ruan me fanatizëm dëshirën e paepur për krijimtari artistike. Humbja e bashkëshortes në moshë të re,bëri që ai të merrte për fëmijët e tij të dy rolet e prindërve më vonë gjatë jetës. Një surprizë emocionuese në formën e një video mesazhi erdhi për Verdin nga dy vajzat e tij Miranda dhe Alketa.