Partia Demokratike e cilëson antidemokratike dhe antikushtetuese vendimin e parlamentit për t’u mohuar gazetarëve informim dhe raportim të lirë nga Kuvendi i Shqipërisë. Ish Kryetarja e Komisionit të Medias, Albana Vokshi tha se ky vendim i parlamentit është dhunim i fjalës së lirë vendimin që ndalon gazetarët të hyjnë lirisht në parlament dhe të raportojnë lirisht për punën e deputetëve. Për Vokshin nuk ka shoqëri të lirë pa fjalë të lirë dhe se ky vendim nga Kuvendi është marrë pa asnjë lloj transparence nga parlamenti monopartiak.
“Pa fjalë të lirë, nuk mund të ketë votë të lirë, nuk ekziston as shoqëria e lirë. Në këtë drejtim, vendi ynë vazhdon të bëjë hapa mbrapa me ritme alarmante. Me nje vendim antidemokratik, media ndalohet të marrë pjesë në komisionet parlamentare, aty ku diskutohen ligjet, ndalohet të pyesë deputetët, ndalohet të jetë aty ku ngjarja ndodh. Në vend të informimit të plotë të publikut, gazetarët urdhërohen të komunikojnë me publikun vetëm përmes pamjeve të regjisë së centralizuar të kuvendit. Vendimi antidemokratik, antikushtetues, i detyron gazetarët të qëndrojnë të izoluar në një dhomë, të rrethuar nga Garda e pushtetit.




