Vrasja e 20-vjeçarit Grei Bihuci në qendër të Fierit, prokuroria kërkon arrest me burg për dy kushërinjtë

14 Mars, 11:12 | Përditesimi i fundit: 2024-03-14 15:47:38

Sot jepet masa ndaj dy të rinjve, Florjan Muka dhe Klajdi Muka (kushërinj të parë), të cilët vranë me thikë ne qendër të Fierit, Grei Bihucin, i cili u fut për të ndarë sherrin mes tyre dhe shokut të tij Olsi Serjanit. Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për dy të rinjtë, të cilët akuzohen për veprat penale “Vrasje  me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi  mbajtja blerja apo shitja pa leje e armëve te ftohta”.

Grei Bihuci, nxënës i informatikës në shkollën “Petro Sota” u godit me thikë paraditen e së hënës, (11 mars)  në qendër të qytetit të Fierit nga 18-vjeçari Florjan Muka. Ai kishte ndërhyrë për të shuar konfliktin e shokut të tij, Olsi Serjani me dy kushërinjtë Muka nga fshati Kallm. 18-vjeçari Florjan Muka i cili kreu vrasjen bashkë me djalin e xhaxhait të tij, Klajdi Muka janë prangosur nga policia. Ndërsa 20-vjecari Serjani që mbeti i plagosur ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Burime të Report Tv pranë grupit hetimor thanë se zanafilla e konfliktit është një foto në rrjetin social “Snapchat”. Debatin e kanë nisur kushërinjtë Muka me Olsi Serjanin dhe një tjetër të mitur, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Prej disa ditësh ata shaheshin në rrjetet sociale dhe u dërgonin foto me thika njëri-tjetrit, duke demonstruar forcën.