Vrasja e nënkomisarit në Lezhë, eksperti i kriminalistikës: Kemi ndërtuar sistem vrasësish, jemi në pragun e shpërthimit të një bombo sociale!

29 Shtator 2021, 12:47

Familja, drejtësia, kujdesi social dhe parandalimi i kriminalitetit janë faktorët që prodhuan krimin e rënë në Lezhë një ditë më parë, ku u vra në krye të detyrës nënkomisari Saimir Hoxha. Kështu deklaroi në Report TV në 'Sot live në Shqipëri' eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuça. Sipas tij, në gjithë këto vite është ndërtuar një sistem vrasësish dhe se jemi në prag të një "bombe" sociale.

"Ne në këto vite kemi ndërtuar një sistem vrasësish, një model ku gjenerata e re rrezikon të na kthehet në vrasës, pjesëtar të bandave kriminale. Vrasësi i heshtur është paaftësia, neglizhenca, pazaret, kompromisi në polici. Disa struktura që janë të kompromentuara rëndë me krimin, sot na kanë shkaktuar një kosto shumë të madhe. Për të riun ka dështuar familja, kujdesi social, drejtësia penale, kemi probleme të rënda të drejtësisë dhe parandalimi i kriminalitetit. Këto dështuan dhe sot të gjithë jemi të rrezikuar, jemi në pragun e shpërthimit të një bombe sociale që akumulohet prej vitesh. Kemi në shoqëri modele të Toni Montanës. Janë këto që po na prodhojnë çdo ditë më shumë këto lloj personash që nuk kanë një zgjidhje, një model. I duhet vënë gishti kokës, jemi në momentin për të menduar se çfarë do ndryshojmë në këtë sistem sepse po prodhon vrasës", thotë ai.