Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg vetëm Arbër Paplekajn, për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, ndërsa ka dhënë masën e sigurisë "detyrim paraqitje" për 10 personat e tjerë të arrestuar, anëtarë të struktrurës së armatosur të PD, e vetëshpallur struktura për mbrojtjen e votës. Paplekaj akuzohet për veprat penale "vrasje", "vrasje e mbetur në tentativë e punonjësve të policisë" dhe "heqje e lirisë me dhunë".
Janë lënë të lirë Arjan Hoxha, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa, Nuredin Kasma, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë në bashkëpunim".
Po ashtu është dhënë "detyrim paraqitje" edhe për Eldjo Bekon, i akuzuar për moskallëzim krimi, ndërsa vijon të jetë në kërkim Kelmend Xhaferri.
Ngjarja e rëndë u regjistrua më 21 prill, ku Xhuvani u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demorkatike, Gazmend Bardhi. Të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota ( punonjëse e policisë).Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që po blinin vota.
Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një strukture të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend.
