Vrasja e Regis Runajt/ Burg 2 të akuzuarve, 'kyçin gojën: S'ndjehemi mirë! Seanca në masa të rrepta

10 Gusht 2020, 13:46

ELBASAN- Xhuljo Hoxhaj dhe Euglen Halilaj, të akuzuar për vrasjen e 23-vjeçarit Regis Runaj do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Masa e sigurisë u dha sot nga Gjykata e Elbasanit, në një seancë me dyer të mbyllura që zgjati më pak se një orë.  Gjyqtarja Pajtime Fetahu, ka pranuar kërkesën e prokurorit Kreshnik Ajazi duke lënë në burg dy të rinjtë, që dyshohet se janë vrasës me pagesë.

Mbërritja e tyre në gjykata u bë nën masa të forta sigurie dhe pa asnjë familjar të pranishëm.

Regis Runajt u gjet i masakruar me thikë pranë varrezave të Elbasanit, mbrëmjen e 29 korrikut. Dy autorët dyshohet se kanë konsumuar lëndë narkotike bashkë me viktimën e më pas e kanë goditur me thika.

 Një ditë më parë policia e shtetit tregoi provat që fajësojnë Xhuljano Hoxhën dhe Euglen Halilin për vrasjen e Regis Runaj. Këta dy persona dyshohet se janë përfshirë edhe në ekzekutimin e Emiljano Ramazanit, ngjarje kjo e ndodhur më 20 korrik. Regis Runaj dhe Emiljano Ramazani ishin miq të ngushtë me njëri-tjetrin ndërsa u vranë njëri-pas tjetrit brenda 9 ditësh në Elbasan. Ende nuk ka të dhëna për porositësit e këtyre vrasjeve, ndërsa dy ekzekutorët kanë kyçur gojën në gjykatë duke thënë se "nuk ndihen mirë".

 Për vrasjen e Ramazanit janë arrestuar më herët Albert e Seit Manahasa, babë e bir, pasi në biznesin e tyre u gjet pistoleta me të cilën u krye krimi.