Vrasja e Regis Runajt në Elbasan/ Shkon në 3 numri i të arrestuarve! Kapet kunati i një prej të dyshuarve, iu gjetën municione në shtëpi

13 Gusht 2020, 16:07

ELBASAN- Pas Euglen Halilajt dhe Xhuljano Hoxhës, është vënë në pranga edhe kunati i këtij të fundit, Erjon Shehu duke e çuar në 3 numrin e të arrestuarve për vrasjen e 23-vjeçarit, Regis Runaj. Gazetari i Report Tv, Merin Maçi raporton se Shehu është i dyshuar si i përFshirë në ngjarjen e 29 korrikut, teksa burimet bëjnë me dije se pas një kontrolli në banesën e tij iu gjetën dhe një sasi municionesh. Përveç vrasjes së Runajt, Shehu dyshohet si i përfshirë në disa ngjarje kriminale në qytetin e Elbasanit.

Regis Runajt u gjet i masakruar me thikë pranë varrezave të Elbasanit, mbrëmjen e 29 korrikut. Dy autorët dyshohet se kanë konsumuar lëndë narkotike bashkë me viktimën e më pas e kanë goditur me thika.

 Pak ditë më parë policia e shtetit tregoi provat që fajësojnë Xhuljano Hoxhën dhe Euglen Halilin për vrasjen e Regis Runaj. Këta dy persona dyshohet se janë përfshirë edhe në ekzekutimin e Emiljano Ramazanit, ngjarje kjo e ndodhur më 20 korrik. Regis Runaj dhe Emiljano Ramazani ishin miq të ngushtë me njëri-tjetrin ndërsa u vranë njëri-pas tjetrit brenda 9 ditësh në Elbasan. Ende nuk ka të dhëna për porositësit e këtyre vrasjeve, ndërsa dy ekzekutorët "kyçën" gojën në gjykatë duke thënë se "nuk ndihen mirë".