TIRANË- Pas 8 muajsh në kërkim, si i përfshirë në vrasjen e ish-efektivit të policisë, Santiago Malko në gusht 2019, është arrestuar ditën e sotme Ilir Selmani. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Selmani është arrestuar në zonën e Xhamllikut, shumë pranë ku dhe është kryer vrasja, duke çuar kështu në 2 numrin e personave të arrestuar lidhur me këtë atentat mafioz, pas Blendi Tetës. Burime zyrtare bëjnë me dije se Selmani lëvizte i armatosur dhe në momentin e arrestimit iu sekuestrua një armë zjarri tip pistoletë dhe municion luftarak.
Po cili ishte roli i tij në ekzekutimin e Santiago Malkos më 27 gusht 2019? Nga kamerat e sigurisë që kanë dalë pas ngjarjes së rëndë në zonën e Xhamllikut në Tiranë, Ilir Selmani është personi që zbret nga një makinë (KLIKO këtu për të parë videon) dhe mbledh nga toka bishtat e cigareve që kishte konsumuar më herët Blendi Teta, duke i hedhur në koshin e mbeturinave. Blendi Teta është kthyer në dëshmitarin kryesor pasi ka zbërthyer pjesë të rëndësishme të grupit që organizoi vrasjen e Santiago Malkos. Ilir Selmani është pjesë e klanit Duka, të Leonard Dukës, që dyshohet se fshihet pas vrasjes. Disa muaj më parë, ai ishte subjekt i OFL-së, ku i kërkohet të justifikonte pasurinë pas dyshimeve se është formuar nga bota e krimit.