Vrau pronarin e lavazhit në Sarandë, ekstradohet nga Italia, Keivi Hysa

26 Tetor 2019, 17:30

Keivi Hysa, 28-vjeçari nga Kurbini, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për një vrasje të ndodhur 4 vite më parë në Sarandë është ekstraduar nga Italia.

Hysa u arrestua një vit më parë në Itali, ndërsa fshihet në shtetin fqinj me një tjetër identitet. Në vitin 2015, Gjykata e Sarandës ka caktuar për të masën e arrestit me burg në mungesë, duke e akuzuar për veprën penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”.

Në Korrik të 2015-ës, Hysa së bashku me disa miq të tij kishte shkuar në qytetin e Sarandës për pushime, por në një lokal u përfshi në sherr me Edmond Mehmetin, i njohur edhe me emrin Edmond Theodhor. Por, një ditë pas sherrit, ky i fundit mbeti vrasrë brenda makinës së tij.

Në atë kohë, Policia e Sarandës raportoi se sherri në lokal kishte ndodhur mes 32 vjeçarit Mehmeti, një biznesmen ky në qytetin bregdetar, pronar i një lavazhi, së bashku me shtetasi Keivi Hysa dhe xhaxhain e tij, Gani Hysa për motive të dobëta. Pas sherit, xhaxha e nip vunë në djeni edhe 23-vjeçarin Eljon Hysa nga Gjormi i Krujës dhe shokët e tij Enkeled Hysa, Ajman Zyba nga Laçi dhe Ylli Reçi nga Gjormi i Krujës dhe së bashku e kanë kërkuar viktimën nëpër qytet dhe sapo e kanë parë, kanë rrethuar mjetin e tij dhe kanë thyer xhamat me shkop bejsbolli dhe me qytën e pistoletës, ku pas kësaj njëri prej autorëve, i identifikuar si Eljon Hysa qëllon me pistoletë ndaj Edmond Mehmetit, duke e lënë të vdekur në vend.

Pas krimit, të gjithë autorët u larguan nga qyteti i Sarandës, por vetëm 3 prej tyre mundën të binin në pranga vetëm pak ditë pas vrasjes, Enkelejd Hysa, Ylli Reçi dhe Ajman Zyba.