PEQIN- Rëndohet bilanci i vrasjeve në vendin tonë në më pak se dy javë! Kësaj here vrasja është regjistruar në Peqin, në fshatin Gjocaj. Viktima është një 44-vjeçar i identifikuar si Ylber Xhahysa, banues në fshatin Pajovë.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 08:30 të mëngjesit të kësaj të mërkure pas një sherri të çastit i cili përfundoi tragjikisht. 44-vjeçari u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi që t’i mbijetonte plagëve të marra nga arma e zjarrit, pistoletë tip TT.
Autori i kësaj ngjarje është 36-vjeçari Leonard Bashaliu banues në Gjocaj, i arrestuar nga uniformat e policisë, teksa është sekuestruar edhe arma e krimit.
Në 8 ditë të muajit qershor janë shënuar 9 vrasje, pjesa më e madhe krim në familje ose vrasje për larje hesapesh. Mbrëmjen e djeshme, opinioni publik u trondit nga vrasja në Librazht, ku burri vrau me sëpatë gruan dhe më pas vari veten në pemë, teksa më herët vëllai vrau motrën në Shkodër për 4 mijë euro për shpenzimet e mobileve. Ndërsa 3 ditë më parë vjehrri Mexhit Picari vrau dhëndrin e tij Kudret Saliajn pranë gjykatës në Tiranë, me pretekstin se po mbronte nderin e vajzës, pas çifti ishte në proces divorci.
















