I pyetur nga moderatori Arbër Hitaj se përse Sali Berisha nuk do që t’i fitojë zgjedhjet, por ka interesa personale, deputeti Ferdinand Xhaferraj tha se këtë përgjigje mund ta kishte vetëm kreu i partisë.
Por ai shtoi se dinamika e ngjarjeve politike brenda demokratëve tre vitet e fundit tregoi se ai kishte axhendë personale më shumë sesa elektorale.
“Më i qartë nga të gjithë pse nuk i fitojmë dot zgjedhjeve e di shumë më mirë vetëm Berisha. Ai u largua në 2013, me të mira e të këqija, edhe me kalimin e kohës, se koha bën të sajat, ai u dorëhoq. Tani rikthimi ka gjërat e veta, u rikthye për axhendë personale apo për interesat e PD-së? Ai ishte investitori kryesor i përkrahjes së Bashës humbje pas humbje dhe pastaj e sulmoi dhe e largoi pas 2022 dhe kjo ngre dyshime të forta dhe më bëjnë të mendoj se PD është në funksion të axhendës së kryetarit dhe jo zgjedhjeve dhe partisë. Ai e sulmoi Bashën kur ai e përjashtoi nga partia. Unë nuk i gënjej qytetarët durrsakë se doja një vend në parlament, unë këto vite gjysmën kam qenë brenda parlamentit dhe gjysmën e kohës jashtë tij. Kam qenë konsistent në linjën time politike”, thotë deputeti demokrat për Report Tv.