Zbardhet dosja që çoi në pranga prokurorin Edmond Karriqin, hetimet nisën në 2019! Pushoi çështjen e të arrestuarve për trafik droge në Kukës sapo mori 2000 euro-t!

3 Korrik 2021, 11:35 | Përditesimi: 3 Korrik 2021, 13:31

TIRANË- Janë zbardhur detaje të reja nga dosja që çoi në pranga prokurorin e Kukësit, Edmond Karriqin, të cilin GJKKO e la sot në burg pasi u arrestua pak ditë më parë nga SPAK, për korrupsion.

Gazetari i Report Tv, Sokol Dema mëson se në 21 nëntor 2019 janë arrestuar për trafik narkotikësh në qytetin e Kukësit, Ramadan Dedja, Eraldo Braka, Elidon Koka, Ergis Xherri dhe disa persona të tjerë të cilët fillimisht janë lënë në masën "arrest me burg", në pritje të akt ekspertimit.

Në atë periudhë dosja në fjalë ka qenë në dorë të një tjetër prokurori, por për shkak të lëvizjeve të vettingut, ka kaluar në dorën e prokurorit Edmond Karriqi. Eraldo Brraka dhe Ramadan Dedja janë lidhur dhe kanë komunikuar me Isuf Gegën, të cilit i kanë kërkuar nëse kishte komunikim me Karriqin për t'i ndihmuar në lidhje me dosjen.

Isuf Gega, në rolin e sekserit, ka udhëtuar bashkë me Karriqin në drejtim të Kukësit, ndërsa janë dokumentuar disa takime mes tyre. Në Kavajë janë takuar sërish dhe pasi ka marrë paratë, 2 mijë euro, prokurori ka pushuar çështjen. Menjëherë më pas ka nisur procedimi i SPAK.

Prokurori akuzohet si i përfshirë në korrupsion, ndërsa arrestimi i tij ndodhi gjatë kohës që ai ishte në qendër të Kavajës. SPAK përmes përgjimeve ka arritur të provojë se Karriqi ka marrë 2000 euro ryshfet për lehtësimin e masës së sigurisë për një të pandehur. Paratë i janë dhënë në dollarë por nuk janë pranuar nga prokurori Karriqi dhe për këtë sekseri i ka kthyer ato në këmbim valutor në Euro dhe më pas ia ka dhënë.

Karriqi akuzohet nga SPAK për veprën penale "Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë". SPAK njoftoi se nga veprimet hetimore të kryera, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se Karriqi, në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, ka kërkuar dhe ka marrë përfitime monetare të parregullta, me qëllim për të favorizuar disa persona të proceduar, të cilët kanë qenë duke u hetuar në Prokurorinë Kukës. 

r.k./Shqiptarja.com