Zhdukja e biznesmenit në Shqipëri, hetuesit italianë në Pukë! Vëzhgojnë nga afër makinën e djegur!

27 Janar 2021, 14:25 | Përditesimi i fundit: 2021-01-27 16:33:45

PUKË- Zhdukja e biznesmenit italian në Shqipëri Davide Pecorelli ka vënë në lëvizje autoritetet hetimore të dy vendeve. Report Tv mëson grupi hetimor italian kanë mbërritur ditën e sotme në Shqipëri. Mësohet se ato kanë parë nga afër makinën e djegur të biznesmenit, e cila është zhvendosur në Komisariatin e Pukës, teksa kanë qenë edhe në vendin e ngjarjes në aksin Gjegjan-Reps.

Pas inspektimeve ato do të bëjnë takim me homologët shqiptarë. Vizita e tyre ishte paralajmëruar më herët në mediat italiane. Madje këto të fundit kanë ngritur pretendime se autoritete shqiptare po i pengojnë hetimet, duke lënë shumë “gjëra anash”.

Si ndodhi ngjarja? Report Tv ka zbardhur më herët të gjithë hyrje-daljet e biznesmenit Davide Pecorelli në Shqipëri. Mësohet se ai ka udhëtuar drejt Shqipërisë 5 herë, 4 herë në vitin 2020 dhe një herë në vitin 2021. Hyrje-daljet e tij i ka kryer të gjitha përmes aeroportit të Rinasit.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se Pecorelli ka ardhur për herë të parë në Shqipëri më datë 24 shtator në vitin 2020. Qëndrimet e tij në Shqipëri kanë qenë 3 ditore deri në 2 javë. Rezulton se Pecorelli ka hyrë në vendin tonë më datë 3 janar nga Italia në orën 16:50 nëpërmjet aeroportit të Rinasit. 

Po atë ditë ai mori me qira mjetin tip ‘Skoda Fabia’ e cila u gjet më pas e djegur në aksin Gjegjan-Reps në Pukë. Më datë 4 janar, Pecorelli udhëtoi drejt Shkodrës e në mbrëmje në Pukë ku u akomodua në hotel të cilën e prenotoi për 3 ditë por që qëndroi vetëm për dy ditë.