Zjarri në Gumenicë të Vlorës, Nënkolonel Muka për Report TV: S'ka banesa të djegura, banorët u evakuuan të gjithë! Era në disfavorin tonë, shpresojmë të mos riaktivizohet vatra

5 Gusht 2021, 19:54 | Përditesimi i fundit: 2021-08-05 21:51:29

Zjarri në Gumenicë, që ka ardhur nga fshati Gjorm i Vlorës duket se është neutralizuar dhe se aktualisht nuk ka asnjë rrezik për banesat, ndërsa të gjithë banorët u evakuuan në kohë për të mos rrezikuar jetën. Në një intervistë për Report Tv, Nënkolonel Dritan Muka tha se në këtë fshat nuk ka asnjë banesë të djegur dhe se është bërë e mundur neutralizimin e 6 vatrave që rrezikonin seriozisht banesat në këtë fshat. Nënkolonel Muka u shpreh se puna në terren ka qenë tepër e vështirë, ndërsa era ka qenë në disfavorin e tyre pasi përhapte flakët në mënyrë tepër të shpejtë duke rrezikuar jetën dhe banesat e banorëve të Gumenicës.

"Në Gumenicë të sipërme dhe të poshtme dhe të sipërme u aktivizuan disa vatra zjarri, disfavori për ne ishte era. U bë në kohë evakuimi i banorëve që të mos rrezikohej jeta e tyre. Ishin 6 vatra në këtë fshat që rrezikon seriozisht banesat, por u bë e mundur të lokalizoheshin dhe të mos digjej asnjë banesë dhe as të mbjellat e banorëve", tha nënkolonel Muka.

Për nënkolonel Mukën tashmë situata varet nga era nëse do të riaktivizohet apo jo sërish zjarri. Ai tha se do të monitorohet edhe gjatë natës.

"Shpejtësia e erës është premisë që flakët mund të aktivizohen,  shpresojmë të mos ketë riaktivizim. Me zjarre masiv jemi hasur gjatë gjithë kohës, terreni këtu nuk ka qenë  tepër i vështirë, do te jemi ne gatishmëri edhe gjatë natës", tha ai.