Një zjarr i përmasave të mëdha që ka përfshirë kodrat pranë Radostinit është drejtuar me shpejtësi drejt zonës së liqenit të Levanit, duke krijuar një situatë serioze për disa biznese dhe banesa në këtë zonë.
Flakët janë afruar në mënyrë të rrezikshme pranë dy lokaleve, ndërsa zjarri ka prekur kurorën mbi objektet dhe ndodhet rreth 200 metra larg tyre, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përhapjen e flakëve drejt ambienteve të shërbimit.
Pronarët e lokaleve kanë nisur të largojnë stafin dhe klientët, ndërsa po nxjerrin nga ambientet edhe disa mjete dhe orendi, për të shmangur dëmet e mundshme në rast se flakët arrijnë tek objektet.
Sipas pronarëve, ndërhyrja nga ajri është tashmë e domosdoshme, pasi terreni e vështirëson ndërhyrjen tokësore dhe zjarri po avancon me shpejtësi.
















