'Zâni', një instalacion elegant në Tiranë! Vepra moderne e skulptorit Sadik Spahija përcjell harmoni mes natyrës e urbanes, instalacioni i kuruar nga Platforma e Artit Harabel

6 Qershor 2021, 17:13

“Zâni”, titullohet instalacioni i bukur skulpturor i përbërë nga ndërthurja e tubave të hekurit të madhësive të ndryshme, që të krijojnë përshtypjen sikur mbajnë njëri-tjetrin pezull, e duke zgjuar lojën e dritave.  

Kjo vepër e skulptorit Sadik Spahija është e treta që instalohet në Tiranë në kuadër të projektit Free Art të Platformës së Artit Bashkëkohor HARABEL, pas instalimit të veprave “Drejtëshkrimi” të Adrian Pacit dhe “Enough Is Enough” të Alban Mujës.  

Sadik Spahija, ky mjeshtër i skulpturës, prej vitesh iu ka dhënë dinjitet figurave të mëdha të kombit përmes realizimeve monumentale, shtatoreve apo busteve madhështore, herë në dimensione klasike e herë në dimensione moderne, si At Shtjefën Gjeçovit, Ndre Mjedës. Mark Çunit, Pjetër Arbnorit, Vilson Blloshmit e Genc Lekës, si dhe shumë figurave të tjera të ndritura të artit e të shkencës.    

Pas kësaj, pakkush mund ta imagjinojë sesi një artist ndërkohë që ngre shtatore, i kushton pothuaj dhjetë vjet të jetës së tij një projekti instalacioni të quajtur Deus ex machine, të cilin e prezantoi në një ekspozitë të tri vjetëve më parë, pjesë e së cilës është vepra “Zani” tashmë e instaluar përfundimisht në sheshin publik të kryeqytetit.   

Vepra “Zani” e Sadik Spahisë është fizikisht imponuese: e përmasave shumë të mëdha, arrin 16 m lartësi e gjerësi.  

Është e rëndë dhe me vëllim monumental; e megjithatë ajo vjen si një projeksion transparent i vetvetes, në dukje sikur nuk ka peshë, por kjo vepër është transkripti metaforik i një melodie të sjellë prej vërtitjes së erës mes një pylli pemësh të paprekur nga njeriu, sipas kuratores Ajola Xoxa.