5 Euro ... me të ik mendja e kokës!

5 Euro ... me të ik mendja e kokës!

Rruga e Kombit

5 Euro kushton karburanti për t'i hedhur një sy Rrugës së Kombit dhe problematikave përkatëse, a për të bërë një shetitje në Kepin e Rodonit ose në Ishëm nëpër ca peisazhe prrallore me pyje, qiell, det, me të ik menia e kokës.

5 Euro në monedha të vogla mjaftojnë për të kënaqur mbi 20 herë violinistin e trotuarit që luan Çajkovskin dhe për ti bërë qefin vetes si dashamir i Artit dhe mecenat. Me 5 Euro mund të blesh një libër të vogël me disa nga perlat e Lasgushit, Introduktat e Nolit, ose novelat më fantastike të Ismail Kadaresë.

5 Euro mjaftojnë për t'ja zbukuruar ditën çdo fëmije të edukuar për së mbari, jo si ata që kanë për baba hajdutin Adriatik Llalla. 5 Euro kushtojnë 8 bukë që hahen në një ditë nga 8 familje shqiptare nga ato që brenda një restoranti nuk kanë shkelur kurrë. 5 Euro dalin e teprojnë për të blerë 2 kilogram fasule Korçe ose Dibre, që zjejnë shpejt, kanë proteina, hahen me qef të shoqëruara me kos.

Më pak se 5 Euro kushton një program i thjeshtë kompjuterik me të cilin mund të shkarkosh gratis nga Interneti të gjitha sukseset e kinemasë botërore që nuk do të vdesësh pa i parë, sidomos ato të kohës së kurvit.

Nja 5 Euro mund të kushtojë konsultimi me një nutricionist për ta pyetur çfarë të hash. Gjatë asaj bisede, eksperti në fjalë, do të japi disa receta të sakta me gramatura dhe orare, por asnjë garanci ku mund ti gjesh atë ushqime. Në fund do kuptosh se 5 Eurot i shpenzove kot. Në këtë vend as vetë nutricionisti nuk e di çfarë ha, sa ha, pse ha.

5 Euro kushton secila analizë mjekësore që do bësh në një laborator për tu bindur se; Mushkritë të kanë marrë fund qysh kur pije cigare Partizani, sytë po ti fik kompjuteri, mendjen po ta torolleps propaganda, ngathtësinë e ke peshqesh nga sedentarizmi, dhjamosjen nga fast fudat, diabetin ta garantojnë ushqimet me brumëra dhe konservanta, origjinë dhe data skadimi të dyshimta.

Afërsisht 5 Euro do të kushtojë në një kafene qerasja e një miku që hiqet për filozof autodidakt I cili do të thotë se në Shqipëri mjekët nuk ti hedhin sytë në dy raste; Kur je nën 30 vjeç si tepër i ri asnjë sëmundje nuk guxon të të afrohet. Kur je mbi 60 vjeç si tepër i vjetër, ke marrë fund, vuan nga gjithçka, s'të ruan dot as Zoti. Çudia është se kështu veprojnë edhe mjekë nën 30 dhe mbi 60.

Me 5 Euro mund të blesh dy konserva peshku me salcë tmerrësisht të shijshme. Do kënaqesh kur ta kullufisësh konservën e parë. Por do gjesh belanë pasi të boshatisësh të nesërmen konservën e dytë. Për arësye që nuk i  di asnjë mik, asnjë mjek, asnjë libër, asnjë internet, nuk do të zërë gjumi tërë natën me sytë në tavan duke u munduar të gjesh nëse kjo bela' të gjeti për shkak të një dobiçllëku të prodhuesit në formën e një energjie artificiale dhe të rrezikëshme që vjen nga cironkat e konservës që s'dihet në cilët pellgje janë zënë, nga vaji që s'dihet nga cila bimë tropikale e kanë nxjerrë, apo nga salca që s'dihet në cilin laborator është shpikur, dhe vetë konservën cili vaporr nga cili vend latinoamerikan që e ka prodhuar para 20 vjetësh e ka sjellë.

Shpenzo 5 Euro për të blerë dhe lexuar të gjitha gazetat e një ditë. Do të largohet çdo ndjeshmëri. Do të zhduket çdo stres. I ke thënë lamtumirë mardhënies së trurit me trupin. Je çmendur.

Nëse je pak supersticioz dhe shumë budalla, ik bli për 5 Euro një biletë llotarie për të fituar lesht e currit.

Rreth 5 Euro kushton konsultimi me një dernatologe se të krruhen duart. Dermatologia do të japi 5 receta nga 5 Euro secila për myqe dhe antibiotiqe që s'kanë për të bërë asnjë efekt. Do vazhdojë kjo kurë e kotë derisa një ditë të bukur me diell Fieri dhe fllad Puke, do të vijë në mendje ideja gjeniale për ti larë enët me duart futur në doreza llastiku, dhe ke për të shpëtuar përgjithmonë nga të gjitha krruajtjet, recetat, dermatologet.

5 Euro kushtojnë rreth 100 kardioaspirina që të ruajnë nga rreziku i infarktit për shkak të episodeve traumatike të përditshmërisë shqiptareske.

Jo më tepër se 5 Euro do të kushtojë biseda e qetë dhe e shtruar me një idiot me tituj për të dale në përfundimin se sekreti i lumturisë është i thjeshtë. Mjafton të besosh se në këtë planet sa një kokrrizë brenda Universit të pafundëm, të lodhesh ta njohësh jetën dhe botën përmes arsyetueshmërisë, është çmenduri e çmendur.

Mos i kurse 5 Euro për një magjistricë në një katund të Mokrës e cila pasi do të falenderojë me gjithë shpirt për 5 Eurot, do të tregojë fijepërpe mbi pëllëmbë të dorës në vendin e shqiponjave fatin prej zvarraniku.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ben: 24/04/2018 14:23

    Jemi mesue ne shqiptaret gjithcka qyl si anadollake,dembele...

    Përgjigju
    • Per Benin: 25/04/2018 14:56

      Beno, une nuk kaloj nga ajo rruge e megjithate e paguaj nepermjet takses se qarkullimit rrugor te makines dhe akcizes per cdo liter karburant qe i hedh serbatorit. Mi hiq keto taksa si dhe me jep mundesine e pasjes se nje rruge alternative per te vajtur ne Kukes, pastaj cdokush qe preferon, do e paguaje rrugen per ti rene shkurt. Sepse ne shqipot ngordhim ti biem shkurt, ashtu si dhe pergjithesimi yt ne mesazhin e shkurter paragjykues.

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Hapet gropë në mes të aksit rrugor Lezhë-Milot

FOTO/ Hapet gropë në mes të aksit rrugor Lezhë-Milot