Pas '90-ës, i lirë nga zinxhirët e flakur, nga një miting në tjetrin, muhabete, libra, poezi, kafe, Greqi, Itali, në '96-ën e gjeta veten ku thërret qameti, i lirë për të livadhisur ku të doja, por pa asnjë lek në xhep.
Nuk mund të vazhdoja të mbetesha gjallë duke recituar Lasgushin, çjerrë zërin dhe përgjakur gishtat nga duartrokitjet nëpër mitingjet e Partisë Demokratike. Duhej të nisja ndonjë punë. Partia Demokratike nuk ishte Zyrë Pune të merrej me hallet e mia, të ndërtonte strategji për të më hedhur ndonjë lek brenda xhepave të grisur dhe bosh.
Demokratët e lumtur, ata oportunistët që me pamje krenare krruanin dhëmbët e kalbur nga mbeturinat e mishit të sapokullufitur, gjoja me mëshirë, më vinin në dukje se isha vonë, duhej të isha kujdesur më parë, kisha humbur 6 vjet.
Mishngrënësit materialistë që u ishin vërsulur lëpirjes së kockave, s'dinin ç'thoshnin. Si sahat pa akrepa që jam, s'kam qenë kurrë as herët as vonë. Sot ndjehem më i freskët se 30 e kusur vjet më parë. Nga neveria që ndjeja për krruajtësit e dhëmbëve të kalbur të mëshirës hipokrite, nuk guxoja t'u thosha: "Hidhini kunjat krruajtës se ma shpifët. Ndjehem i lodhur nga jeta ime plot vuajtje dhe e juaja plot gomarllëqe. Jam i dehur nga mrekullia. Dehuni dhe ju. Mjaft krruat dhëmbët." Për të mbetur i pastër, kam zgjedhur të vazhdoj ta recitoj Lasgushin që të mos afrohem me materializimin tuaj dhe politikën, pushtetin, dallaveret. E kam vështirë të gjej një punë, se nuk jam ekonomist, jurist, mësues, agronom, por inxhinier, zanat që sot s'i duhet as dreqit.
Duke kërkuar punë, një ditë u gjenda në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, i cili më sugjeroi hiç më pak se Drejtor i Personelit të Doganave. Një asocim idesh më solli në mendje një referencë të largët krahasuese dhe të pavlefshme për rastin, poetin kombëtar Naim Frashëri doganier në Sarandë. Dogana asnjë lidhje me mua. E falënderova dhe ika.
Fola me një mik të vjetër që ishte ngjitur në majat e Partisë Demokratike. Të nesërmen fillova punë në katin e katërt të Ministrisë së Jashtme, Shërbimi Informativ Kombëtar. Për biznes s'jam. Për politikë s'ia them. Emigracioni s'është për mua. Pse të mos punoj në shërbimin inteligjent të shtetit tim demokratik? Dhe pranova.
Megjithëse i armatosur me arsyetime të themelta, e pësova një krisje që ditën e parë kur më dhanë t'i hidhja një sy Rregullores që niste me fjalët: "Në vazhdim të zbatimit të vijës së pagabueshme marksiste-leniniste të Partisë dhe porosive të paçmuara të Shokut..."
Thashë me vete, nuk u paskan mjaftuar 6 vjet për të përgatitur një rregullore? Por në çast kujtova se po pretendoja nga të tjerët diçka që ata duhej ta kishin bërë ndërkohë që unë rrija mënjanë duke recituar Lasgushin, dhe s'e zgjata. I dhashë karar duke menduar: "Hajt mo, s'u bë qameti, fillim është ky."
Iknin ditët, javët, muajt. Atmosfera s'më ngjallte asnjë zell, asnjë dëshirë, s'më ngacmonte asnjë nerv, s'më ndizte asnjë zjarr.
Një ditë prej ditësh, dikush u kujtua për mua. Më dha të përktheja nga italishtja një libërth mbi luftërat pas-diktatoriale në Ballkan. Kalova disa muaj i kërrusur mbi një makinë shkrimi, si një Ebu Qerim i devotshëm mbi ëndrrat, i bindur, i sjellshëm, i ndjeshëm, që kupton, mëson, di, dhe nuk bëzan. Pastaj një tjetër libër, e një tjetër.
Deri kur pas dy vjet parazitizmi patriotik, fryu një erë, ra një shi, goditi një breshër dhe barraken demokratike e mori Lumi. Shefja e financës mori nga dyshemeja një copë letër të hedhur ku shkroi motivacionin klishé të largimit: "Filanit i suprimohet vendi i punës." U largova. Pas nja një jave larguan edhe të zellshmen shefe që më largoi mua, ndoshta me një copë letër që e morën në dysheme.
Mund të kisha ndenjur po të telefonoja njërin e tjetrin. Por nuk e bëra.
Pse ndenja dy vjet e ca dhe nuk u largova muajin e dytë ose të tretë?
Kjo megapyetje e ka një gigapërgjigje.
Nuk u nguta të largohem sepse ndodhi diçka fort e rrallë, diçka unikale, diçka që konkurron denjësisht skenarët më makabër të horrorit.
Komunistë, demokratë, rrugaçë, spiunë, parazitë, dallaverexhinj nga më të ndryshmit dhe më të çuditshmit, ku ishin e ku s'ishin ushtria e llumit dhe bërllogut që i kisha pasur frikë tërë jetën, nisën të më kenë frikë mua.
Bota ndali së rrotulluari.
Frika e tyre ndaj meje ishte aq prezente, sa e ndjeja nga maja e kokës te gishti i këmbës. Nuk ishte frikë banale, mediokre, e çfarëdoshme, e zakonshme, nga ajo që të gjithë shqiptarët ushqejnë për njëri-tjetrin. Frikën e zakonshme ku ma gjen. Frika në fjalë ishte tjetër gjë. E ndryshme, e pangjashme, e tmerrshme, e llaftarshme, e kobshme; ishte frikë pa shkak, frikë kot, frikë bosh, frikë pa frikë, frikë nga asgjë.
Ata që i kisha pasur frikë gjithë jetën sepse më spiunonin, më burgosnin, ma nxinin jetën, më internonin, nisën të kenë frikë ndaj meje pa asnjë motiv, pa asnjë sebep.
Përfytyrimi i vetes si njeri që e kanë frikë ngaqë merrte një rrogë për të mbushur barkun me groshë, më mahniste, më dalldiste, më linte pa mend, më degdiste në jerm, në kllapi, në delir, më jepte një rehati, komoditet, çlodhje, një ekstazë të shurdhët që s'i lypeshin fjalët.
Nisa të jetoj në një Univers tjetër. Të kundërt, të përmbysur. Ku frika dhe trimëria mplekseshin më fort se shqiptari me derrin.
S'mund ta shpërfillja këtë Fat. S'mund ta lija të më ikte nga duart ai zog. S'mund të mos e shijoja atë luks.
Por pata edhe një arsye tjetër që s'u largova, që ndenja.
Frika e pamotivuar dhe e paarsyetuar që më rrethonte, më induktoi një ide po aq të çartallosur.
Përmes një miku i dërgova haber Gazidedes të më priste. Vajta në zyrën e tij, në atë kohë diku afër Gardës, ku sot ndodhet Drejtoria e Rrugëve.
Tym dhe cigare që i ndizte rresht. Mes meje dhe tij u zhvillua pak a shumë ky dialog:
-Më jep një kompjuter.
-Pse të duhet?
-George Orwell thotë se forca e komunizmit është gjuha e komunizmit. Do e ngordh komunizmin duke ia vrarë Newspeak-un, gjuhën e drunjtë, gjuhën e thatë. Kompjuteri më duhet për të ndërtuar fjalëkryqe të rreme dhe për të thurur horoskope të sajuara. Fjalëkryqet dhe horoskopet diversioniste me efekt kurativ kombëtar që do i shpërndaj nëpër gazeta, do kenë përmbajtje me efekt pastrues, dezinfektues, larës, shpëlarës, patriotik, demokratik.
-Jam dakord.
Pas dy a tri ditësh mora kompjuterin.
Bëra fjalëkryqe dhe horoskope.
Për fjalëkryqet më ndihmoi një software që ma solli një mik nga jashtë. Ia zëvendësova software-it fjalorin anglisht me një fjalor shqip që e bëra vetë me nja dy mijë fjalë të pastra si: mirëkuptim, mirësjellje, paqe, mbarëvajtje, disiplinë, progres etj.
Me horoskopet e pata më kollaj. Të eturit për ta lënë fatin e vet në dorë të sharlatanëve, i sigurova se pozicioni i trupave qiellorë për sot të siguron se:
Po gabove, duhet ta shlyesh.
Po vrave, do të vrasin.
Po vodhe, do kalosh jetën në burg.
Mos e lër punën e sotme për nesër.
Paguaj taksat, se po s'i pagove do gjesh belanë.
Nesër do bëjë mot i mirë, por çadrën duhet ta marrësh me vete.
Krimi më i rëndë është ta gjykosh tjetrin sipërfaqësisht etj., etj.
Ia dhashë kryesisht gazetës Albania të Ylli Rakipit. Ylli dhe të tjerë më komplimentuan dhe falënderuan për shpërthimin e beftë tek unë të talenteve të astrologut dhe enigmistit që deri atëherë i kisha mbajtur të ndrydhura.
Në një nga ditët kur kërkiste kallashnikovi, i vajta në zyrë Gazidedes.
Bëni ndonjë gjë të marrë fund ky tmerr - i thashë.
-Çfarë të bëjmë ? tha nëpër dhëmbë. Të thurim horoskope dhe fjalëkryqe? Atë e provove ti. E ç'u bë? Hiçasgjë.
S'e kishte mendjen aty. Hidhte vazhdimisht sytë jashtë dritares, në oborr. Te një pamje që e pashë dhe unë para se të hyja brenda. Te ca kalamaj në rresht rrëzë murit nga ana perëndimore e oborrit duke këmbyer rraqet me uniforma ushtarake. Armët shtrirë përtokë.
Të nesërmen iku.
Në vazhdën e besimit se për shqiptarët që flasin e shkruajnë në liri më për ibret se në diktaturë, freskimi dhe pasurimi i fjalorit është vendimtar për të tashmen dhe të ardhmen e tyre, i braktisa thurjet verbale diversive, dhe pas pak, si një Ebu Qerim i përvuajtur që mëson nga jeta, nisa shkrime normale.
Kur ia tregova një miku kineast shëtitjen kompjuterike orwelliane në livadhet e frikës verbale dhe shtigjet e tmerrit ortografik, i zverdhur në fytyrë, miku më tha: Këtë skenar nuk do vdes pa e bërë film.
Komente











