Qaftrashë, surratbardhë, veshë të varur, sy të shqyer, hundë të madhe, ballë i ngushtë, goja shpellë, gjymtyrë të ngathëta, i mbuluar me lesh, ruhuni, erdhi Bubi. Bubi njihet që larg nga e lehura, e ecura, lëvizjet e ngathëta, barku si me barrë, duart e varura, këmbët e pasigurta.

Një herë e një kohë ngordhalaq, i thatë, zgjebs, ulceroz, veremli, surrat i zi, kurriz i kërrusur nga kockat e sëmura, Bubi i uritur dhe i rreckosur nuk linte mbledhje kolektivi pa lehur: Për mësimet e Partisë, besnikërinë ndaj diktatorit, sukseset, tejkalimin e planit, armiqtë e jashtëm që na kishin zili, armiqtë e brendshëm që duheshin varur në litar, shkuar në hell, pjekur në prush.

Sot Bubi ha si derr e pi si kalë. Kullufit male mishi dhe pilafi. Zbraz bidona rakie. Gjerb lumenj birre. Surratin e bardhë nga dhjami e ka me cikra të kuqe nga alkooli. Fryrë nga ngrënia e tepërt e karbohidrateve, brumrat, makaronat, pilafi, byreku, ëmbëlsirat. Ka dëgjuar se i shkaktojnë Diabet. Por Bubi nuk ndalet se ngopuri pusin e thellë, urinë e vjetër.

Sot Bubi është demokrat i vendosur. Çfaqet i nginjur, i ngathët, i lumtur. Bën sikur e ka harruar bukën e vjetër, Partin e Punës, Sigurimin, orën e propagandës. Ama spiunllëkun nuk e ka braktisur. Si hafie me përvojë, për ta mbajtur larg rrezikun duke u dukur me të kaluar sa më të pastër, bën një nakatosje edhe më kriminale se spiunllëku i kahershëm. S'lë gur pa lëvizur për të ndotur të tjerë që me spiunllëkun kanë qënë më larg se me Andromedën.

Bubi mbahet serioz, konservator, idealist. Me llafe. Se me vepra ideali i vetëm i Bubit është kockëlëpirja.

Bubi të shkrin së qeshur kur thotë jam i djathtë vetëm pse shkon nëpër mitingje dhe foltore dhe lëpin kockat që i hedhin. Po ja vure në dukje se vajtja nëpër mitingje dhe foltore është komunizmi më i qelbët, të ngjitet si bajga duke të bërë qartësime.

Ke parë një Bub, sikur i ke parë të gjithë bubat një nga një.

Çudia me Bubin është se hordhia e bubave ka identitet, ndërsa çdo bub është anonim.

Bubi e ka bindje të palëkundur se Historia është e tëra një rrenë e lavdishme, një melhem për disfatat e njëpasnjëshme, tkurrjen territoriale, humbjet dhe tjetërsimet anagrafike, shkak për të qënë krenar që je shqiptar, statistikë që duhet respektuar e nderuar si e do zakoni, si e lyp Kanuni.

Bubi është aq i përmbajtur, i sjellshëm, i edukuar, i qytetëruar, i njerzishëm, sa s'e ka hiç problem të shajë e të pështyjë e të mallkojë me rrënjë e me degë, ambasadorë, kryeministra, presidenta, mbretër anekënd botës.

Me lehtësinë e lëpirjes së kockës dhe thellësinë e një universi dypërmasor, Bubi llafoset për politikë, gjeopolitikë, gjeostrategji, me më tepër kompetencë se profesorat me mjekërr që u ka rënë bretku gjithë jetën mbi libra.

Më tepër se gjithkujt, Bubi i beson atij lideri që e garanton se do vjedhë çfarë t'i shohi syri e t'i preki dora pa u rrezikuar aspak.

Bubin e rre menia se duhet të vijë në pushtet me lugë në brez, për të vetmen meritë se i ka ardhur rradha për të vjedhur.

Sipas Bubit, Morali është liria për ta bërë fshehtas çdo zezonë.

Përveç ca soc-kërrupjeve filmike dhe teatrale që i kanë mbetur nga koha e hurit dhe litarit, me Artin, Bubi ska asnjë lidhje.

Më tepër se Krishtin, Muhamedin, hoxhën, priftin, shenjtin, profetin, pejgamberin, Bubi i përulet atij lideri që është frikacak dhe hiqet trim, di, edhe me vjedh edhe me mçef, edhe me rrejt dhe me u duk i sinqertë.

Bubi që i duket vetja më i ditur, më i rëndësishëm, me më tepër iniciativë në çështjet e Alfabetit se Shahin Ypi, Gjergj Fishta, Mit'hat Frashëri, të gjitha ç-të, i ka bërë q. Pse Bub leshatori e bën këtë, një Zoti e di.

Bubi nuk e ka idenë se ekzistenca është plot qiej dhe humnera, të tatëpjeta e të përpjeta.

Bubi, botën e di rrafsh si trurin e vet.

Dihet se të gjitha rrugët të çojnë në Dibër ose në Mallakastër.

Për Bubin të gjitha shtigjet të çojnë te mitingu ose te foltorja.

Për Bubin s'ka më të bardhë se rrenacaku, më të zi se i ndershmi, më dredharak se i drejti.

Bubi i rrenës dhe hajnisë është një larvë, një amebë, një gjallesë primitive, një dopjo dhe multi standard nga më të fëlliqtit në fytyrë të dheut.

Për pasardhësin e Haxhi Qamilit, Bubin kombëtar, Shqipja e shkruar dhe Shqipja e folur nuk ekzistojnë. Kalë lufte, armë të fuqishme, Bubi ka Shqipen e lehur.

Të gjithë i ka gjet belaja me Internetin.

Bubi është i vetmi prej të cilit Internetin e ka gjet belaja.

Asgjë për tu çuditur prejkur nga Froni zbritën zotnilerët u ngjitën bubat.

Poshtë puna, merita, urtësia, qytetaria, dituria.

Rroftë sa malet mbreti i progresit, Bubi lehës.