POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Drogë dhe gjoba bizneseve/ Shkatërrohet banda e rrezikshme shqiptaro-italiane, 13 të arrestuar

Momenti i arrestimit të anëtarëve të bandës

Policia italiane ka shkatërruar sot një grup të rrezikshëm kriminal italo-shqiptar që merreshin me trafik droge, kërcënime dhe zhvatje me dhunë, kryesisht ndaj sipërmarrësve në provincën e Bergamos. Në pranga kanë rënë 13 persona.

Shkrimi në mediat italiane

Kjo bandë gangsterësh, shqiptarë dhe italianë ishte kthyer në tmerrin e bizneseve të zonës, pasi me anë të metodave mafioze ata dhunonin e kërcënonin tregtarët në rast se nuk paguanin gjobën. Në rast se paguanin aktiviteti i tyre ishte i mbrojtur.

Operacioni është zhvilluar mëngjesin e 11 shtatorit nga Guardia Di Finanza e Bergamas, ku në pranga janë vënë 7 anëtarë të këtij grupi të rrezikshëm, shqiptarë dhe italianë, identiteti i të cilëve nuk bëhet ende i ditur. 6 anëtarë të tjerë të grupit, siç bëjnë me dije mediat italiane, janë arrestuar më herët. Të 13 anëtarët e grupit të shkatërruar vepronin në koordinim me njëri-tjetrin.

Mediat italiane flasin për hetime të gjata, komplekse dhe me rrezikshmëri të lartë, madje një prej oficerëve të policisë ka rrezikuar të vritet nga ana e këtij grupi.

Por në përfundim të hetimeve është arritur të dokumentohet me filmime rastet e shumta të kërcënimeve dhe dhunës mbi pronarët e bizneseve në provincën e Bergamos. Në një rast madje pronari i një lokali në komunën Colognola ishte detyruar të paguante 5 mijë euro gjobë që të siguronte ruajtjen e biznesit të tij.

Policia thotë se ka sekuestruar 4 armë zjarri, mes tyre edhe silenciator me numër serie të fshirë, municione, fishekë dhe para cash.

Një ditë më parë në një tjetër operacion antidrogë të zhvilluar në tre shtete, Itali, Gjermani dhe në Shqipëri u arrestuan 20 persona, 16 në Itali, 3 në Gjermani dhe një në Tiranë, mes tyre 18 shqiptarë. Trafikantët që kanë përfunduar në pranga bënin pjesë në dy grupet “Baruti” dhe “Bushi”. Ata merreshin me trafik heroine, kokaine dhe marijuane. Banda kishte degë edhe në Holandë, Belgjikë dhe në Austri, ndërsa bazën e kishin në në Veri të Italisë. Operacioni i filluar që në 2016 u kodua "Alba Bianca". Hetimet filluan pas sekuestrimit të 91 kg kokainë në kufirin Itali –Austri në 2016.

ma.nd.
Komento