Sistemi zgjedhor para 2025, Burimi në 'Studio Live': Debat luksoz, si mund të bëhet reformë me Ramën! Shabani: Votuesi nuk ka pushtet

Sistemi zgjedhor në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 duket se ka angazhuar të gjithë faktorin politik në vend, ku një zë i fuqishëm për ndryshimin e këtij sistemi ka ardhur nga partitë e reja. Në ‘Studio Live’ në Report Tv, kreu i Nisma Thurje’, Endri Shabani theksoi domosdoshmërinë e listave të hapura.

'Besoj se për votuesit është e rëndësishme të ketë pushtet. Edhe për kandidatët të ketë më shumë garë. Secili nga kandidatë nëse merr më shumë vota bëhet deputete. Me lista të mbyllura kjo nuk varet nga votuesi. Pushteti qëndron tek kryetari i partisë, nëse hapen listat pushteti qëndron tek votuesi. Kandidatë më të pavarur dhe votues më të fuqishëm', tha Shabani.

Analisti Genc Burimi u shpreh se ky debat për sistemin zgjedhor është mjaft teknik dhe është një luks për Shqipërinë, ku mungon demokracia.

'Ky është debat fallco. Sot nuk je më në kushtet e një debati teknik, por në kushtet e një debati nëse mbahen zgjedhjet apo jo. Opozita e Berishës, e kanë ngritur stekën tepër lartë, kërkojnë qeveri teknike, nuk hyjnë në zgjedhje me Ramën. Është një besim që është thyer sidomos me rastet e fundit. Ky është një debat jetësor ka apo nuk ka zgjedhje në 2025.

Po shkoi në zgjedhje me Ramën shkon si cjapi te kasapi. Çfarëdo reforme të bësh Ramës, reformën e Zvicrës apo Finlandës, në këto kushte kur sa më shumë vepron drejtësia aq më shumë shton paratë korrupsioni nuk ka zgjidhje. Si mund të besosh se po të bësh reformë me këtë personazh mund të fitosh. Nuk mund të ketë reformë zgjedhore definitive para se të njihet rezultati i zgjedhjeve në SHBA', u shpreh Burimi.

Shabani nga ana tjetër, thekson arsyet se Rama duhet të ishte dorëhequr me kohë, por nga ana tjetër një sistem i mirë zgjedhor e mundëso diçka të tillë.

'Sistemi zgjedhor nuk është vetëm për një palë zgjedhje. Vendos raporte mes votuesit dhe përfaqësuesit të vetë. Sistemi duhet të jetë demokratik, pasi ka prodhuar parti autoritare. Një problem që duhet zgjidhur. Janë dy gjëra që nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. Besoj se Edi Rama duhet të ishte dorëhequr me kohë. Çdo ditë ka një arsye pse shqiptarët duhet të kishin një qeveri më të mirë.

Edi Ramën e kanë lënë dhe nervat, sot është njoftuar një grevë e gazetarëve italianë për shkak të presioneve të Melonit dhe Ramës ndaj gazetarëve. Janë skandale të përditshme pse Rama duhet të dorëhiqet. Por kjo është tjetër çështje dhe sistemi zgjedhor është tjetër çështje. Që në 2017 Rama marrë më pak se 49% të votave. Arsyeja pse ka një mazhorancë të tillë në parlament është se ka një sistem zgjedhor që i jep avantazh. Sistemi zgjedhor është shumë e rëndësishme', theksoi Shabani.

Burimi thotë se sistemi mund të jetë demokratik, por problem mbetet zbatimi i tij.

'Shqipëria nuk vuan nga një sistem zgjedhor jo demokratik,. Është zbatimi jo demokratik. Prandaj e quaj debat tekniko dhe luksoz në gjendjen ku jemi për tjetërsimin e votës. Nëse ai në lojë thotë topi është i imi penalltinë e gjuaj unë. Nuk mund të hyhet në zgjedhje me një person që vjedh zgjedhjet', nënvizoi analisti.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:55
Bashkim me Qorin dhe Lapajn? Shabani paralajmëron koalicion të gjerë në 2025 me figurat e reja në politikë

 

Endri Shabani në 'Studio Live' komentoi krahasimin e Burimit se lufta Berisha -Rama i ngjan asaj të Putinit me Navalnyn, pasi kreu i Rithemelimit është në arrest shtëpie. 

'Nuk e besoj se SPAK është në dorë të Edi Ramës. Navalny nuk merr leje ndërtimi, nuk ka 17 kulla. Nëse në një vend pushteti ka kapur drejtësinë, nëse kryeministri të lë të bësh pallate atëherë nuk është ai që po të fut në burg. A do Berisha të vijë në pushtet? Patjetër që do. Puna është që nuk vjen kurrë. Thotë të paktën të rrijë në krye të opozitës dhe nuk i ka dalë keq. Edhe aty ku është tani. Asnjë votues nuk e ëndërron të ketë shtëpinë aty.

Këto indikatorë më bën të besoj që pavarësisht betejës janë bashkë. Frika nga SPAK, frika nga ndërkombëtarët, pra që ka një presion, interesi politik, synimin për t’i mbajt partitë në zap. Në disa pika si amnistia, lufta ndaj SPAK, janë bashkë. Votuesit na dëgjojnë', tha Shabani.

Nga ana tjetër, Shabani shtoi se për zgjedhjet e vitit 2025 po përgatitet një koalicion i gjerë me figura të reja në politikë, ku nuk përjashtohet edhe bashkimi me Adriatik Lapajn dhe Arlind Qorin.

'Sot debati politik, zgjedhja që votuesi do ketë në 2025 është do i mbajmë gjërat siç janë apo do ndryshojmë? Nëse zgjedhja është ndryshimi, do përpiqem të bind sa më shumë njerëz që ta shohin kështu. Na lind detyrimi të bëjmë alternativën e re politike dhe t’i japim qytetarëve shqiptarë një zgjedhje, mes atyre që kanë 34 vjet që i shohin apo të votojnë disa të rinj që nuk vijnë me kusure. Koalicion me forca të reja, me të rinj mund të bëhemi të gjithë bashkë. Të gjithë kush janë të rinj. Jo fraksione të partive të vjetra', shtoi ai.

G.K/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë