TIRANË- Report Tv publikon sot të plotë videon ekskluzive të ekzekutimit të ish-policit Boran Bërçana dhe bashkëjetueses së tij Silvana Ndoci, ngjarje e ndodhur në 15 korrik.
7 sekonda i janë dashur vrasësit për të ekzekutuar Boran Berçanën dhe bashkëjetuesen e tij Silvana Ndoci, në prezencë të fëmijës së tyre brenda në makinë. Videoja u sigurua nga gazetari investigativ Artan Hoxha, i cili ka sqaruar në studion e lajmeve të Report Tv se si mundi ta siguronte videon por edhe gjithë detajet e reja për vrasjen e çiftit që tronditi Shkodrën.
VIDEO ekskluzive e Report TV, ekzekutimi i ish-policit Boran Berçana dhe bashkëjetueses së tij
Në video duket qartë që autori është një dhe i vetëm. Ai afrohet qetësisht, armën e mban të ulur në fillim dhe qëllon me dorën e majtë në anën e Bërçanës. Ish-polici ka tentuar të lëvizë makinën por goditja ka qenë e menjëhershme.
VIDEO ekskluzive e vrasjes së ish-policit Berçana, Artan Hoxha: Viktima e pa vrasësin, Shkodra mund të ketë ekzekutime të tjera të ngjashme
Gazetari Artan Hoxha ka komentuar pamjet, teksa ka renditur disa detaje të cilat zbulohen sot në pamjet ekskluzive. Në video mund të dallohet se autori ka qëlluar me dorën e majtë, një specifikë që sipas Hoxhës dallon disa nga vrasësit profesionistë në vendin tonë.
Gjëja që bie në sy është që autori shkon qetësisht tek makina. Ngjarja ka ndodhur në një zonë të Shkodrës ku s’ka lëvizje. Autori e ka pritur mbi 1 orë viktimën. Makina e autorëve është afër vendit ku ndodh atentati, të hyjë brenda banesës, Bërçana duhet të kalojë në një rrugicë. Kur hyn në rrugicë, polici s’ka asnjë mundësi të shmangë pritën, duke qenë se është kthesë, makina është në shpejtësi minimale. Aty është hyrja e apartamentit. Autori ka pritur dhe e ka dalluar makinën qartësisht. Ora është 1:30, 2:00 pas mesnate. Çdo lëvizje tërheq vëmendje dhe ai mund ta ketë parë autorin kur afrohet qetësisht nga pasqyra. Ai është afruar qetësisht, dhe ka marrë parasysh se Bërçana mund të kishte armë me vete. Ka patur dijeni dhe për kamerat. Nga informacionet e mia, kemi porositës, organizator dhe ekzekutor. Ka një kamerë tjetër që e ka prokuroria. Është një distancë më të afërt. Ka një kënd tjetër, makina është përpara. Autori qëllon me dorën e majtë, vrasësit profesionistë e dinë dhe e njohin njëri-tjetrit. Është mëngjarash, sapo afrohet, ka të dhëna të sakta se mjeti nuk është i blinduar. Është përdorur për herë të parë, automatiku MP5, prodhim gjerman. Ka qenë armë turke, imitim i prodhimit gjerman, për kujtesë është arme e njëjtë si ajo që bëri vrasjet në 21 janar.
Në vrasjen e Ziver Veizit u përdor një armë e tillë. Preferohet në distancë të shkurtër. Intensiteti i qitjeve është shumë i lartë.
Artan Hoxha, gazetar
Duke iu referuar lëvizjeve të autorit dhe viktimave, Hoxha tha se, Shkodra është një qytet i ndarë në zona kontrolli për shkak të grupeve rivale. Një e tillë ishte edhe zona ku jetonte me qira Borani e Silvana. Sipas tij, autori është kamufluar për të siguruar hyrjen në zonë, e pastaj për të kryer ekzekutimin. Hoxha thotë ndër të tjera se, duke u nisur nga mënyra se si e mbante armën, autori ka pasur qëllim t’i ekzekutojë të dy.
Borani nuk e ka pritur që kishte të bënte me një ekzekutor. Nga ana tjetër, autori e ka ditur banesën, ka parë kamerat e sigurisë, është munduar t’ju fshihet atyre. Kjo banesë ndodhet në një lagje të Shkodrës që dihet qartësisht se kush e kontrollon. Janë ndryshe ata që e dinë se kush e kontrollin. Shkodra është e ndarë në zona kontrolli për shkak të grupeve rivale. Ata kanë ngritur një sistem sigurie, me kamera edhe njerëz që monitorojnë. Autori ka mundur të çajë në këtë lagje duke u kamufluar. Autori ka pasur informacion me kë ishte i shoqëruar, Borani. Po të dinte që kishte tre apo katër persona në makinë nuk mund ta kryente sulmin. Kapasur informacione të sakta që i vijnë para se të ndodhë ngjarja. Dora e tij është shumë lart, pra, synon ti godasë të dy. Pse? E ka njohur edhe Silvanën? Ne këtë nuk e dimë"
Artan Hoxha, gazetar investigativ
Pjesë nga intervista me gazetarin investigativ Artan Hoxha:
Kush e donte të vdekur Boran Bërçanën?
Borani nuk ishte të shkuar kriminale dhe problematike. Disa muaj para ngjarjes e kishin transferuar në Fushë-Arrëz. Distanca e largët, mosha e këtij e re, imagjino një i ri që dërgohet në Fushë-Arrëz, nuk e ka përballuar dhe ka dhënë dorëheqjen. Për këtë shkak u largua nga policia. Për dy muaj ka qenë jashtë Shqipërisë, e tregojnë edhe të dhënat e TIMS. Nuk e di me saktësi se në cilin shtet, por brenda Europës. Është kthyer një muaj para se të ndodhte ngjarja. Fakti që nuk i është gjetur armë, fakti që është kthyer në banesë vonë, tregon që s’kishte dyshime dhe as konflikte. Nëse ke probleme s’mund të kthehesh në shtëpi në orën 02:00 të natës. Megjithatë, kjo vrasje ka edhe një problematikë tjetër. Në Shkodër ka pasur një situatë të ndërlikuar, të tensionuar, përplasje mes grupeve të forta kriminale që disponojnë mjete financiare shumë të forta, që kanë mjete të blinduara, armatime.
A kishte si qëllim të ekzekutonte edhe Silvanën autori?
Ka pasur informacion me kë ishte i shoqëruar. Po të dinte që kishte tre apo katër persona në makinë nuk mund ta kryente sulmin. Ka pasur informacione të sakta që i vijnë para se të ndodhë ngjarja. Nga ana tjetër dora e autorit është shumë lart. Ai synon ti godasë të dy. Pse? E ka njohur edhe Silvanën? Ne nuk e dimë këtë. Por di të them se në Shkodër ka grupe që e kanë ndarë qytetin me parcela të sakta. Kujtoni rastin e gjobëvënësve.
A do hetohen këto ngjarje?
Nëse zbulon një vrasje, zbulon të gjithë zinxhirin e vrasjeve. Sa ka evoluar krimi, shikoni çfarë metodash dhe mjetesh përdoren. Në pranverën e këtij viti ka patur një situatë të tensionuar. Vrasja e Boran Bërçanës ka prishur shumë ekuilibra. Unë kam bërë një shkrim për mafien në Serbi, mendoja se ngjarjet do ndodhnin më vonë, por dolën nga parashikimi im. Ngjarje të tilla, urojmë që grupet kriminale të kenë qitës të mos shkaktojnë viktima të tjera. Imagjinoni një fëmijë 2 vjeç të larë në gjak, duket si skenë filmi. Është e njëjta skenë si në 5-6 ngjarje të tilla. Nëse hetimet shkojnë kështu siç po shkojnë, pa rezultat, me keqardhje po të them që do ndodhë e njëjta gjë, e do më ftosh prapë të komentojmë të tilla ngjarje, që do ngjallin panik. Unë kam dëgjuar dy shprehje në Shkodër, e para “të hyn vetja në qejf”. Të tillë tipa goditen kur nuk e presin, në momentin më të lavdishëm.
Shprehja e dytë është se Shkodra s’ka njësh-a. Të paktën në këto vite që e kam ndjekur unë. Kush ka menduar se ka qenë njësh, ka përfunduar shumë shpejt në shtyllë.
Shkodra si Palermo? Si ka mundësi Shkodra? Pse është zona e nxehtë e krimit në Shkodër?
Është kryeqendra e veriut, një nyje strategjike, kryqëzim i shumë kalimeve. Në Mal të Zi kanë ndodhur 30 vrasje në Kotorr, pse? Sepse është kryqëzim rrugësh, e njëjta gjë dhe në Shkodër. Ka det, ka liqen, ka mal. Këto shërbejnë për të kaluar drogë, kokainë e heroinë. Pjesa dërrmuese e minave blihen nga Mali i Zi. Pra, minat blihen në Mal të Zi dhe Shkodra është nyje kalimi. Shkodranët janë të përfshirë në emigracion jashtë Shkodrës.
Çfarë po ndodh me atë që quhet bota e krimit të organizuar në vendin tonë? Cilat janë qytetet e tjera të rrezikuara nga krimi?
Ka disa zhvillime që jam përpjekur t’u bëj apel agjencive të zbatimit të ligjit. Ka një situatë anormale. Kemi lejuar grupe, por edhe ne si shoqëri, kemi lejuar krijimin e organizatave kriminale shumë të fuqishme. Ka shkuar ministri i Brendshëm në Elbasan, Kryeministri, ambasadori, çfarë ndodh sot? Asgjë. Dy prokurorë të dërguar nga kryeprokurorja e re, është fakt që s’kemi rezultat. Masakra e Çapjave, s’ka autorë. Është qëlluar skuadra operacionale e Policisë së Shtetit, qëllohen si thasë me rërë. Prokurori i Elbasanit pushon çështje dhe fajëson policët. Personat janë ende të lirë, ndërkohë që policët i shpëtoi Zoti. Në Elbasan ka çdo javë që të vjen lajm, u gjet një banesë e djegur, makinë e djegur. Kolegët tanë ka raste që nuk i raportojnë, dhe unë i këshilloj që të raportojnë deri aty ku nuk rrezikohet jeta e tyre. Në korrik ka patur dy raste pengmarrje në Elbasan. Qytetarët janë jashtë kësaj që ka ndodhur në Elbasan por janë të pafuqishëm. Zonat e tjera të ngjashme janë në Vlorë.
Në Vlorë ka 3-4 raste që nuk gjendet kufoma. Vlora është nyje, pjesa më e afërt me Italinë, ka investime, paratë e krimit investohen në ndërtime. Tirana është qyteti tjetër ku ka grupe dhe banda të forta kriminale.
A është momenti i duhur për t’u përballur me këto grupe?
Policia jonë s’ka shanse të përballet me ta, sepse këto grupe nëse nuk bllokohen pasuritë, ata s’luftohen. U tentua në Elbasan, prokurorët ikën nga detyra. Policia s’duhet t’i lejojë të lëvizin me eskortë. Ndonjë ditë do përballet eskorta e një grupi me atë të kryeministrit, e s’do merret vesh. Në kryeqytet ka një moment status-quoje. Ka patur zhvillime në javët e fundit, urojmë të mos jemi në të njëjtën situatë si në Shkodër apo Elbasan. Shqipëria është territor ku edhe grupet e huaja sjellin qitës për të kryer ekzekutime. Në këto momente grupet e mëdha në kryeqytet po merren me biznese dhe janë të kënaqur, por ky ekuilibër do prishet me zgjedhjet lokale, pasi ku ka zgjedhje ka edhe probleme.