Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon zyrtarisht përjashtimin e Edi Ramës nga punimet e seancave të Kuvendit për shkak se sipas kësaj force politike kreu i qeverisë ka përdorur fjalor fyes seancën e javës së kaluar. Pas paralajmërimit të Monika Kryemadhit dy ditë më parë, sot LSI e ka konkretizuar këtë hap ku përmes një letre drejtuar Gramoz Ruçit i kërkon të marrë masa. 

Përjashtimi kërkohet për fjalorin e përdorur prej të parit të qeverisë gjatë seancës së 23 marsit. LSI konstaton se fjalët e tij ishin fyese si për deputetët në sallë ashtu edhe për popullin. Një kopje të kërkesës që qëndron tashmë në zyrën e kryeparlamentarit me të gjitha pretendimet e opozitarëve të LSI-së. Shkresa mban firmat e nëntë deputetëve duke nisur nga kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, Luan Rama, Petrit Vasili, Kejdi Mehmetaj, Nora Malaj, Silva Caka, Endrit Braimllari, Përparim Spahiu dhe Floida Kërpaçi.



(Shkresa e LSI për përjashtimin e Ramës)

"Nuk mund dot ju të bllokoni asgjë dhe të pengoni asgjë dhe për më tepër pasaj, jo po...shiko këtu se do ngrihen këta, do ngrihen ata, kjo e ngritjes është Thirri, thirri të të ngrihet, ai i shkreti kokë ulur, s'të përgjigjet dot", është fraza e përdorur nga Rama nga foltorja e Kuvendit, për të cilën LSI kërkon përjashtimin e tij, kjo pasi sipas LSI Rama ka krahasuar deputetët dhe shqiptarë me organin mashkullor.