Fushë Krujë- Një shtyllë e tensionit të lartë Tiranë2-Podgoricë, nga e cila kalon 50% e konsumit energjitik në të gjithë vendin, ka rënë pre e një shpërthimi tritoli. 

Policia deklaron se nuk dihet se kur ka ndodhur ky sulm, por nga informacionet e para mësohet se eksplozivi është vendosur në shtyllën 400 kv të linjës së tensionit të lartë dhe se ka dëmtuar konkretisht një nga këmbët e shtyllës së linjës, e cila ndodhet në afërsi të gurores së fabrikës së vjetër të cimentos në Fushë-Krujë.

Njësitë speciale të OST janë aktualisht duke ndërhyrë për të shmangur stakimin e kësaj linje që do të kishte pasoja shumë të rënda në furnizimin me energji elektrike në vend. Ndërkohë, Operatori i Sistemit të Transmetimit ka kryer edhe veprimet proceduriale në organet e drejtësisë, me synim gjetjen e autorëve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë.

Sipas Kodit Penal, sulmet me shpërthim tritoli cilësohen akte terroriste.