Prefekti i Kukësit Granit Gjana është pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme pasi po hetohet nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.

SPAK njoftoi sot (6 dhjetor) se ka kryer hetime paraprake në kuadër të procedimit penal nr.133 të vitit 2023, dhe nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se Granit Gjana, në cilësinë e zv/kryetarit, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, ka konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Pasi është vënë në dijeni të vendimit të gjykatës, Granit Gjana ka dhënë dorëheqjen nga detyra e prefektit Kukës mbrëmjen e të martës (5 dhjetor 2023). Sipas SPAK, ky shtetas me mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “Ufo Cengu” sh.p.k, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar kompaninë të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21 milionë lekë të organizuara nga Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023.  SPAK thotë se si pasojë e këtyre veprimeve janë dëmtuar interesat e ligjshëm të kompanisë “Ufo Cengu” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit për blerjen e karburantit.

“Nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi nën hetim G. Gj., në cilësinë e zv/kryetarit të Bashkisë Kukës, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, ka konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i K.Penal. Ky shtetas me mosveprimet e tij, e konkretisht mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar OE-në të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. Për pasojë shtetasi nën hetim G. Gj. ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm”- njofton SPAK.

Vendimi u mor në 1 dhjetor ndërsa masa e “pezullimit të ushtrimit të detyrës”, në ngarkim të Granit Gjanës është ekzekutuar nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Kombëtare të Hetimit më 5 dhjetor.

Aktualisht Gjana mbante detyrën e prefektit Kukës, por më parë ka qenë nënkryetar i Bashkisë. Pas video skandalit që shkaktoi shkarkimin dhe arrestimin e Safet Gjicit, nga 24 qershori deri më 4 tetor Granit Gjana u komandua në ushtrimin e detyrës si kryetar i bashkisë së Kukësit derisa u zgjodh titullari i ri Albert Halilaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:30
Në hetim për abuzim me tenderat e naftës, Granit Gjana dha mbrëmë dorëheqjen

1701852372_granitgjana.jpg

Report Tv mëson se Granit Gjana ka dhënë mbrëmë dorëheqjen pasi është njohur me vendimin e GJKKO-së.

Granit Gjana akuzohet për shkelje të barazisë në tenderat për blerje karburanti gjatë kohës që mbante postin e zëvendës kryetarit të bashkisë së Kukësit.

Vendimi u mor më 1 dhjetor ndërsa është ekzekutuar nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Kombëtare të Hetimit në datën 05 dhjetor 2023.