VLORË- Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, ka nisur një aksion sot në mëngjes për prishjen e 9 bizneseve të ndërtuara pa leje në vijën bregdetare të Jalës. Objektet e prishura nga IKMT janë kryesisht biznese në fushën e hotelerisë dhe shërbimeve. Inspektoriati sqaron se këto biznese janë njoftuar që prej 15 korrikut për prishjen, dhe iu është bërë thirrje të largoheshin pasi këto objekte nuk mund të legalizohen pasi ndërtimet janë bërë në tokën e ushtrisë. Report Tv ka raportuar se pronarët e bizneseve kundërshtuan prishjen e ndërtesave të tyre. Ata thonë se nuk janë njoftuar për këtë aksion. Disa prej tyre kanë dalë kundër këtij aksioni janë përplasur me policinë dhe kanë thënë se po tentohet që të nxirren me dhunë. Policia shoqëroi në Komisariat 7 nga pronarët që kundërshtuan ndërhyrjen e IKMT-së dhe Policisë së Shtetit.

(Pronarët duartrokasin në shenjë proteste aksionin e policisë)

"IKMT prish 9 objekte në zonën e Jalës. Objektet një dhe dy katësh me funksione shërbimi, kryesisht hoteleri. Objektet e prishura janë ndërtime pa leje dhe të përjashtuara nga procesi i legalizimit. IKMT ka bërë njoftimet dhe po vijon puna sipas përcaktimeve të ligjit"-thuhet në njoftimin e IKMT.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:06
Shembja e bizneseve pa leje, Policia shoqëron me forcë 7 pronarë në Jalë, mes tyre një adoleshente

Policia e Shtetit ka shoqëruar 7 nga pronarët e objekteve të shembura në Jalë, që kryesisht kanë shërbyer si biznese. Mes të shoqëruarve është edhe një vajzë adoleshente 14-vjeçe. 7 prej tyre kundërshtuan ndërhyrjen e IKMT-së dhe janë shoqëruar në polici. Në pamjet e Report Tv, shihet shoqërimi i tyre me forcë në komisaria

Ora 11:34
Aksioni i IKMT-së për ndërtimet pa leje, dy deputetë të PD nisen në Jalë (VIDEO)

Pak orë pasi Inspektoriati i Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit zhvilloi një aksion për prishjen e 9 objekteve në Jalë, kryesisht biznese dhe lokale, dy deputetë të PD-së janë nisur për atje.Nada Meçorapaj dhe Agron Shehaj kanë shkuar në mbështetje të pronarëve të bizneseve në Jalë. Të enjten, Partia Demokratike ka organizuar të mbledhë edhe grupin parlamentar në këtë qytet.

Ora 11:16
Shembja e bizneseve në Jalë, flasin pronarët: Na latë rrugëve, kemi bërë si gjithë shqiptarët (VIDEO)

Pronarët e bizneseve të shembura në Jalë nga IKMT mëngjesin e sotëm, kanë folur për Report Tv dhe kanë thënë se kanë rreth 30 vite në këtë tokë. Ata thonë se pavarësisht vendimit të ALUIZNI-t, vendimi për prishjen e objekteve nuk duhet të kishte ndodhur. Një prej tyre, ka thënë kanë vepruar njësoj si të gjithë shqiptarët.

Kemi bukën e fëmijëve, na latë rrugëve, more! Edi Rama, je kriminel me pagesë!

Siç e patë, ne si familje kemi kaq ditë që jemi çorientuar. Këtu është korrupsion i madh, duan rërën, duan dhe malin. Duan të na heqin objektet që kemi 30 vite si familje. Duan të na asgjësojnë krejtësisht. Po na prishin objektet bashkë me mallrat që kemi brenda. Sot jemi midis rrugëve. Fëmijët tanë s’kanë ku të venë. Të 6 objektet këtu janë shtëpi banimi, të pajisur me dokumente. S’kemi marrë njoftim. Duam të na sjellin urdhërin me shkrim. Në orën  07:30 kanë sjellë tërë këto forca sigurie, kam bërë një gabim në jetën time: I dhashë 300 vota Edi Ramës që më ka mashtruar.

Kemi ankimuar vendimin në Gjykatë. Ata pretendojnë se kemi ndërtuar në pronën e SHPU-së. Kemi dokumente shtetërorë që tregojnë se ata janë mbivendosur.

Pronarët e bizneseve të shembura në Jalë

Jemi pronarë që nga ’92-shi.  S’po na lenë të marrim as rrobat tona. Kemi dokumentet, kemi 30 vite këtu. Në vitin 2016 na pa ministria e Mbrojtjes këtu? Ku i gjeti 45 mijë metra katrorë policia. Po na hedhin gjërat në tokë. S’kemi bërë krim, kemi bërë si gjithë shqiptarët.

Pronarët e bizneseve të shembura në Jalë